GJIMNAZI I SHTETIT SHKODËR
✤ Shkolla e parë e mesme laike shtetërore në Shkodër. U hap më 5.10.1922, mësuan nxënës nga të gjithë krahinat, duke përfshirë edhe nxënës nga Kosova e Çamëria. Pranë gjimnazit u çel edhe konvikti «Malet tona» (shih). Më 1935 e 1936 në gjimnaz u krijuan dy celulat e para komuniste. Rol të rëndësishëm për forcimin e frymës demokratike revolucionare në gjimnaz ka luajtur shoqëria «Besa shqiptare» e themeluar më 27.11.1928 e që vazhdoi deri më 1937.
Gj. i Sh.Sh. dha ndihmesë të shquar për Luftën ANÇ. Nxënësit të prirë nga komunistët qenë në ballë të qëndresës antifashiste kundër politikës së italianizimit dhe të fashistizimit të shkollës. U krijuan 5 aktive të rinisë komuniste, dy aktive të rejave komuniste, 8 grupe edukative, «Bërthama» drejtuese e aktiveve dhe grupi i lartë edukativ. U organizuan greva, demonstrata, bojkotime, përleshje etj. Fashistët për të shuar qëndresën mbyllën konviktin «Malet tona», përjashtuan, burgosën dhe internuan me dhjetëra e qindra nxënës, saqë numri i tyre u përgjysmua. Qindra gjimnazistë dolën partizanë dhe ranë në fushën e nderit 80 dëshmorë, nga të cilët 15 Heronj të Popullit. Më 4.4.1945 Gj. i Sh.Sh. u rihap. Sot është shkolla e mesme e arsimit të përgjithshëm «29 Nëntori*. Në kremtimin e 40-vjetorit të Gj. mori pjesë sh. Enver Hoxha, i cili ngriti lart traditat revolucionare të shkollës që sot zhvillohen më tej nën udhëheqjen e Partisë.
(F.Lu.—Xh.R.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Gjimnazi I Shtetit Shkodër