GJIRI I SPILESË
✤ Gji deti në bregun e Himarës, një nga më të mëdhenjtë e më të bukurit e gjithë bregdetit shqiptar të Jonit. Shtrihet midis kepit të Mësunit (Niqiforit) në JL dhe kepit të Halisë në V. Futet rreth 600 m në brendësi të tokës dhe ka formën e një patkoi. Është formuar nga një fundosje tektonike dhe nga veprimi shkatërrues i detit. Brigjet JL dhe VP janë shkëmbore, të larta e të thepisura (greminat e famshme të Filikurës në JL 70-100 m të thella). Në pjesët e tjera bregu është i ulët dhe aty formohet një plazh i madh zallor (plazhi i Spilesë). Këtu gjendet edhe lagjja Spile e Himarës dhe një pontil për bregëzimin e anijeve të vogla (të peshkimit etj.). Gjiri është i mbrojtur mirë nga erërat V e L. Në skajin JL të plazhit të Spilesë është një burim i fuqishëm karstik, që shërben për furnizimin e Himarës me Ujë të pijshëm.
(Me.K.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Gjiri I Spilesë
[cite]