Gjon Vladimiri

Gjon Vladimiri

Gjon Vladimiri (+1015) ka qenë i biri i Nemanit dhe nipi i mbretit Bullgar Simeon i Ohrit (890- 927), i cili mbretëronte në principatat e Zahumiljesë dhe Presvala (të quajtura ndryshe Zeta). Pasi trashëgoi kurorën, ai iu përkushtua me zell të dyfishtë veprave përdëllyese. Duke u djegur nga dëshira për të bashkuar shtetasit e tij në Kishën e Shenjtë, dërgoi nëpër të gjithë mbretërinë predikues për të përhapur besimin e krishterë. Më pas, ai themeloi manastire, kisha dhe institucione bamirëse. Me gjithë dëshirën për të jetuar në paqe me mbretërit fqinj, gjatë kohës së mbretërimit të tij, Vladimirit iu desh të rezistonte para sulmeve të perandorit bizantin Vasilit II dhe Carit bullgar Samuel (976-1014). Kur ky i fundit ndërmori një ofensivë kundër mbretërisë së Vladimirit, Samueli i dërgoi një lajmëtar për ta bindur të dorëzohet, por Vladimiri refuzoi. Pasi u tradhëtua nga një njeriu i tij, u kap rob dhe u arrestua. Në burg ai kalonte kohën duke u lutur. Një ditë iu shfaq një engjëll për ta qetësuar dhe e lajmëroi se së shpejti do të ishte i lirë. Cari Samuel kishte një vajzë të quajtur Kozara, e cila kishte për zakon të vizitonte burgjet. Kur u njoh me Vladimirin, ky i fundit i hyri në zemër. Ajo ndërmjetësoi tek i ati duke i kërkuar të martohej me Vladimirin. Cari pranoi dhe e la të kthehet në atdheun e tij. Pak kohë më vonë, car Samueli vdiq dhe djali i tij Radovan mori pushtetin në dorë, por u vra nga kushëriri Joan Vladislavi. Ai mori fronin e Bullgarisë dhe u përpoq të gllabëronte edhe mbretërinë e Vladimirit. Ai e ftoi Vladimirin për t’i bërë një vizitë në oborrin e tij dhe pas një kurthi i preu kokën me shpatë. Shenjti mori kokën e vet midis dy duarve, i hipi kalit dhe u drejtua nga kisha. Kjo ka ndodhur më 22 maj të vitit 1015. Arka ku ruheshin lipsanet e Joan Vladimirit është grabitur prej çetave të mercenarëve, të cilët luftonin kundër Qose pashës, Serasqerit të Manastirit. Grabitësit, pasi hapën varrin e shenjtit morën stolitë prej sermi, sepse koka e Joan Vladimirit ishte e derdhur në serm. Vite më vonë besimtarët elbasanas i blenë lipsanet e shenjtit kundrejt shumës prej 700 pjastrash. Arka ku ruhen lipsanët është futur në një varr prej guri, mbi të cilin janë skalitur skena nga jeta e shenjtit. Pas prishjes së kishave më 1967 arka me lipsanet e shenjtit u vendos në kishën e Shën Mërisë në lagjen Kala. Sot lipsanet e Shën Joan Vladimirit ruhen në Kryepiskopatën e Hirëshme në Tiranë. Në ditën e panairit transferohen për në Manastirin e Shën Jonit për t’u falur besimtarët.

Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Shërbesa e Shejtë e Sh’Jon Vlladimirit, e përkthyeme dhe e botueme me bekim të Kryepiskopit të gjith Shqipnis, Krye-Hirsis Tij Emzot Dr. Vissarion-it, Shtypshkronja Gutenberg, Tiranë 1934.
2-Johan Georg von Hahn, Studime Shqiptare, Instituti i Dialogut dhe Komunikimit, Tiranë 2007, faqe 122.

Besimi — Ortodoks
Persona

Si ta citojmë këtë artikull: Artikulli me titull "Gjon Vladimiri" është marrë nga Shqipopedia: https://wiki.shqipopedia.org/gjon-vladimiri-2