GJUHA SHQIPE
✤ Gjuhë e familjes indoevropiane; formon një degë më vete në këtë familje dhe nuk rrjedh prej asnjërës nga gjuhët e sotme të saj. Një pjesë e mirë e leksikut dhe elementet themelore të strukturës gramatikore të shqipes janë trashëguar nga një periudhë e lashtë dhe kanë analogji dhe përkime me atë të gjuhëve të tjera indoevropiane. Por gjatë evolucionit të saj historik shqipja ka përftuar dhe mjaft risi në strukturën e vet gramatikore dhe në leksik, Në ndarjen e madhe të gjuhëve indoevropiane në gjuhë L (satem) dhe në gjuhë P (kenfum) shqipja bën pjesë në grupin e gjuhëve L bashkë me gjuhët indoiranike, balto-sllave dhe me armenishten. Në shqipen, ashtu si edhe në këto gjuhë, grykoret qiellzore k’, g’ janë reflektuar në ndërdhëmbore th, dh (shqip athët — lat. acidus, shqip dhëndër — lat. gener). Por në gjuhën shqipe ka raste ku ruhet karakteri mbylltor i grykoreve qiellzore, gjë që tregon se shqipja i përket një zonë kalimtare të arealit indoevropian qendror, sikurse edhe gjuhët balto-sllave dhe armenishtja. Në disa zhvillime të tjera fonetike të hershme, siç është dukuria e kthimit të o-së së shkurtër indoevropiane në -a, (krhs. lat. nox, noctis, gjerm. Nacht, shq. natë), shqipja shkon me gjuhët indoevropiane V (gjuhët gjermanike dhe gjuhët balto-sllave), duke u larguar nga gjuhët indoevropiane J (latinishtja greqishtja etj.). Shqiptarët janë pasardhës të ilirëve (shih) dhe shqipja pasardhëse e ilirishtes. Kjo është teza më e argumentuar nga ana historike dhe gjuhësore për origjinën e Gj.Sh. Argumentet themelore historike dhe gjuhësore tek të cilat mbështetet kjo tezë janë këto: 1. Shqipja flitet sot në një pjesë të trojeve ku në periudhën antike flitej ilirishtja. Trojet e sotme ku flitet Gj.Sh. në krahasim me trojet e dikurshme të saj janë rezultat rrudhjeje për arsye historike të njohura. 2. Ato pak elemente gjuhësore që janë njohur si ilire gjejnë shpjegim me anë të gjuhës shqipe. 3. Format e toponimeve të lashta antike, të krahasuara me format përgjegjëse të sotme, provojnë se ato janë zhvilluan në përputhje me rregullat e fonetikës historike të’^gjuhës shqipe. 4. Marrëdhëniet e shqipes me greqishten e vjetër dhe me latinishten tregojnë se shqipja është formuar si gjuhë në një periudhë të hershme në fqinjësi me këto gjuhë. 5. Të dhënat arkeologjike dhe të dhënat e tjera të kulturës materiale e shpirtërore dëshmojnë se ka vijimësi kulturore nga ilirët te shqiptarët. . Kontaktet e vazhdueshme të popullit shqiptar me popuj të tjerë kanë lënë gjurmë edhe në .gjuhë, sidomos në leksik. Në leksikun e shqipes ka huazime nga greqishtja e vjetër dhe e re, nga latinishtja dhe më pas nga italishtja, nga gjuhët sllave të Ballkanit, nga turqishtja etj. Megjithatë Gj.Sh. ka mundur të ruajë origjinalitetin e vet si gjuhë e veçantë, ka ruajtur dhe ka pasuruar me mjete të brendshme fondin e vet të trashëguar, ka ruajtur ië paprekur nga ndikimet e huaja sistemin e vet gramatikor.
Gj.Sh. është një nga gjuhët më të lashta të Ballkanit, por për arsye historike të njohura, ajo është e dëshmuar me shkrim relativisht vonë. Dokumentet e para të shkruara në gjuhën shqipe, që njihen deri më sot, janë të shekullit XV. Të dhëna burimore dhe të dhëna të tjera të tërthorta flasin për ekzistencën e një tradite shkrimore më të hershme. Gjatë mesjetës gjuha shqipe është quajtur arhërishte (shih). Emërtimi i sotëm shqip, shqipe është dëshmuar me shkrim për herë të parë më 1555. Gj.Sh. ka dy dialekte kryesore: dialektin e V {gegërishten) dhe dialektin e J (toskërishten). Që nga shkrimet e para Gj.Sh. e gjejmë të shkruar në dy variante letrare kryesore të ndërtuara mbi bazën e të dy dialekteve. Ajo vijoi të shkruhej në të dy dialektet deri sa u formua dhe u kristalizua si gjuhë letrare kombëtare e njësuar (shih: Gjuha letrare shqipe), në epokën tonë socialiste. Nga pikëpamja tipologjike, në gjendjen e sotme Gj.Sh. paraqitet si një gjuhë sintetiko-analitike. Ka një sistem fonologjik origjinal (që përbëhet prej 7 fonemash zanore dhe 29 fonemash bashkëtingëllore) dhe një sistem të larmishëm formash .gramatikore; ruan mirë sistemin rasor (ka pesë rasa) ka sistem tri gjinish (mashkullore, femërore dhe asnjanëse; kjo e fundit është në tërheqje, është kufizuar në një grup të veçantë emrash); sistemi emëror ka trajtën e shquar dhe të pashquar, ka nyje të përparme dhe të prapme; sistemi emëror dhe foljor njeh edhe fleksionin e brendshëm (dash-desh, dal-del); ka dy tipa strukturorë mbiemrash — të nyjshëm dhe të panyjshëm (i mirë— besnik). Te numërorët krahas sistemit decimal (dhjetë, tridhjetë, gjashtëdhjetë etj.) bashkëjeton edhe sistemi vigesimal (njëzet, dyzet). Sistemi foljor ka një Iarmi formash mënyrore dhe kohore, nga të cilat një pjesë i përkasin fondit të trashëguar indoevropian, një pjesë .janë përftuar gjatë evolucionit historik. Folja ka këto mënyra: dëftore, lidhore, kushtore, habitore, dëshirore, urdhërore, i edhe format e pashtjelluara (pjesoren, paskajoren e përcjelloren). Koha e ardhshme është ndërtuar në mënyrën analitike me dy forma: do + lidhore (do të punoj) dhe kam + paskajore (kam për të punuar). Gj. Sh. ka theks të lirë, por zakonisht të palëvizshëm. Në shumicën e fjalëve, sidomos në kategoritë emërore, theksi bie në rrokjen parafundore. Rendi i fjalëve në fjali është përgjithësisht i lirë. Gj.Sh. gjatë zhvillimit historik ka përftuar një numër tiparesh të përbashkëta me disa gjuhë të tjera ballkanike, sidomos me rumanishten, greqishten e re, bullgarishten dhe maqedonishten.
Shqipja flitet sot nga më se gjashtë milionë veta. Përveç popullsisë së RPS të Shqipërisë ahe popullsisë shqiptare të Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi e të Serbisë jugore, si dhe në disa vise të Çamërisë në Greqi, ajo flitet edhe në ngulimet e lashta shqiptare të Italisë, të Greqisë etj. dhe nga shqiptarë të mërguar para Çlirimit në vende të ndryshme të botës. Si gjuhë letrare shqiptarët në Jugosllavi përdorin gjuhën letrare kombëtare shqipe. Të folmet e ngulimeve shqiptare jashtë atdheut (në Greqi, Itali, Jugosllavi, Bullgari, Bashkimin Sovjetik) paraqiten si ishuj gjuhësorë
(A.D.—S.M.—M.D.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Gjuha Shqipe