GRAMENO MIHAL
✤ (1871-1931). Publicist i shquar, shkrimtar dhe veprimtar i lëvizjes patriotike e demokratike, Hero i Popullit. Lindi në Korçë në një familje atdhetare nga shtresa zejtare dhe tregtare. Në moshë të re mërgoi në Bukuresht, ku u lidh me shoqërinë «Drita». Hyri në lëvizjen kombëtare që nga fundi i shek. XIX. Në vitet 1907-1908 luftoi në radhët e çetës së Çerçiz Topullit, më 1909 mori pjesë në Kongresin e Manastirit. Për veprimtarinë e tij u dënua disa herë me burgim prej qeverisë osmane. Pas shpërthimit të Luftës I Botërore u detyrua të largohej në SHBA, ku vazhdoi të punojë për çështjen kombëtare deri më 1920, kur u kthye në atdhe. Në vitet 1921-1924 ishte një nga veprimtarët në zë të iëvizjes demokratike. Vdiq në Korçë më 5.2.1931. Krijimet e para letrare e publicistike të M.G. panë dritën e botimit në fillim të shek.XX. Hartoi këngë patriotike, disa prej të cilave, si «Për mëmëdhenë», «Lamtumirë», «Uratë për liri» u përhapën gjerësisht në popull. Është ndër nismëtarët e dramaturgjisë e të prozës së gjatë shqipe. Shkroi komedinë Mallkimi i gjuhës shqipe (1905) dhe dramën historike Vdekja e Pirros (1906) që trajtojnë tematikën patriotike, novelat Oxhaku (1904-1905), Varri i pagëzimit (1909) dhe E puthura (1909), në të cilat gjeti pasqyrim me nota sentimentaliste jeta e përfaqësuesve të vegjëlisë, me brengat e saj të përditshme.
Fusha ku spikati talenti i M.G. është publicistika. Bashkëpunoi me disa organe, por shumicën e shkrimeve e botoi në gazetat Lidhja orthodhokse (1909-1910) dhe «Koha» (1911-1926), të cilat i drejtoi vetë. Shkrimet e tij publicistike shquhen për idetë demokratike dhe frymën luftarake. M.G. luftoi me këmbëngulje kundër shovinizmit fqinj dhe politikës osmanizuese të xhonturqve, përkrahu vegjëlinë dhe demaskoi klasën çifligare si klasë parazitare. M.G. është ndër të parët që bëri të njohur në Shqipëri V.I. Leninin si mbrojtës të popujve të shtypur e të vegjël. Përmes shkrimeve letrare dhe publicistike ndihmoi në përkrahjen e ideologjisë demokratike-revolucionare në shtresat e përparuara të shoqërisë shqiptare. (TH.Gj.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Grameno Mihal