GRANITET
✤ Shkëmbinj intruzivë acidë, kokrrizorë, shumë të fortë, me përmbajtje të lartë të kuarcit (10-50%), të spateve fushorë kryesisht alkalinorë (40-60%) dhe të ulët të mineraleve të errët (10-15%) sidomos të mikave (biotit, muskovit), pirokseneve etj. Mineralet aksesore dhe xeherorë tipikë të G. janë cirkoni, apatiti, sfeni, magnetiti, ilmeniti, rutili, monaciti etj. Sipas mineraleve përbërëse dallohen disa lloje G.: të mirëfillta ose kalcium-alkalinore, G. alkalinore, granodiorite, kuarc-monconite, plagjiogranite, aiaskite etj. Sipas prejardhjes dallohen dy grupe gjenetike: G. magmatike dhe G. metasomatike.
Në G. gjenden mjaft vendburime të mineraleve të dobishme, si të arit, argjendit, kallajit, volframit, hekurit, arsenikut, plumbit, zinkut, kobaltit, molibdenit etj. G. përdoren si gurë zbukurimi dhe material ndërtimi me cilësi të lartë. Në Shqipëri G. janë pak të përhapur, në trajtë të disa masiveve të vogla, si ai i Trokusit (zona e Gashit), ai i Fierzës dhe ai i Lëvrushkut (zona e Mirditës) dhe në trajtë të disa dejeve në zonën e Korabit.
(Dh.K.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Granitet
[cite]