Graniti — pyetje e vështirë

Graniti — pyetje e vështirë

Natyra e shkëmbinjve që ne i quajmë granite mund të shpjegohet me atomet «endacake», me temperaturën dhe me presionin. Sipas një teorie të pranuar nga të gjithë, dikur Toka ka qenë një lëmsh në gjendje të shkrirë. Në bazë të kësaj teorie disa shkencëtarë pohojnë se graniti, që është më i lehtë se bazalti, është shkëputur nga ky i fundit dhe pastaj është vendosur mbi të dhe, më në. fund, është ftohur duke formuar blloqe të mëdha, të cilat më vonë formuan kontinentet. Që nga ajo kohë blloqet janë mbuluar pjesërisht nga shkëmbinj fundërresorë dhe janë dyndur aty-këtu nga lëndë të reja në gjendje të shkrirë (si graniti dhe bazalti), që kanë ardhur nga thellësitë e tokës.
Sot shumë gjeologë mendojnë se graniti i blloqeve kontinentale është shkëmbi fillestar i planetit tonë. Në disa vargmale ata kanë zbuluar granit të rrethuar krejtësisht nga shkëmbinj fundërresorë, dhe asnjë shenjë nuk ka treguar se ato i kanë zhvendosur shkëmbinjtë fundërresorë. Është e sigurt se në disa vende graniti është pikërisht formacion fundërresor i shndërruar dhe, prandaj, ka të ngjarë që i gjithë graniti i Tokës të jetë një shkëmb fundërresor i shndërruar. Në rast se kjo do të ishte e vërtetë, dikur duhet të kenë qenë shkëmbinj fundërresorë edhe vetë blloqet kontinentale. Ka të ngjarë që korja e Tokës fillimisht të ketë qenë e përbërë prej bazalti, dhe e gjitha të ketë qenë e mbuluar nga deti. Gropat e bazaltit janë mbushur pastaj me fundërresa, të cilat mund të jenë kthyer në shkëmb, duke pësuar një shndërrim të vazhdueshëm për shkak të magmës së shtresave të mëposhtme. Më pas rrudhosjet dhe çarjet i kanë ngritur lart këto formacione, të cilat u bënë ishuj; këto kanë qenë të parat toka të thata të planetit tonë dhe më vonë janë pasuar nga vargjet e maleve. Ndërkohë bërthamat e brendshme të këtyre vargmaleve iu nënshtruan temperaturave të larta dhe presioneve të mëdha, ndërsa materialet që vinin nga thellësitë, vazhdonin t’i përshkonin, duke i shndërruar në granit. Kur vargjet e maleve u shkatërruan për shkak të gërryerjes, edhe pjesa e brendshme e tyre, duke qenë e pambrojtur, pësoi gërryerje deri në nivele mjaft të ulëta. Blloqet kontinentale duhet të jenë formuar si pasojë e këtij procesi, i cili përfundoi, siç mendojnë shkencëtarët, tre miliardë vjet më parë. Që nga ajo kohë rrudhosja e ngadalshme e blloqeve kontinentale ka vazhduar, disnivelet janë mbushur nga fundërresat, janë ngritur male, janë formuar bërthama të reja graniti dhe gërryerja ka vazhduar të veprojë pa ndërprerje mbi malet. Natyrisht, gjithçka që kemi parashtruar deri këtu është krejt teorike, sepse as nuk është provuar as nuk është pranuar nga të gjithë. Graniti përbën ende një nga problemet më të mëdha të gjeologjisë. Kur të arrijmë të marrim vesh diçka më shumë mbi prejardhjen e tij, do të arrijmë të njohim më mirë edhe kontinentet mbi të cilat jetojmë

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]