GREVAT PUNËTORE
✤ Forma të luftës spontane ose të organizuar të klasës punëtore kundër shoqërive dhe punëdhënësve kapitalistë për të kufizuar shfrytëzimin dhe për të përmirësuar kushtef e punës e të jetës së punëtorëve. Kronika e lëvizjes punëtore në Shqipëri shënon si grevistë të parë shegertët këpucarë të Shkodrës, të cilët me anë të grevës së 1 majit 1905 mbështetnin kërkesën e tyre për t’u shtuar mëditja 20%. Autoritetet turke e cilësuan këtë grevë si lëvizje politike clhe burgosën punëtorët më të shquar.
Grevat u shtuan gjatë viteve 1912-1939; ato drejtoheshin si kundër kapitalistëve edhe kundër qeverive çifligaro-borgjeze që i përkrahnin ata. Mbi bazën e grevave lindën edhe shoqëritë e para profesionale të punëtorëve.
Më 1921 u zhvillua greva e punëtorëve të fabrikës së cigareve «Tarabosh» në Shkodër, më 1923 greva e punëtorëve të minierës së bitumit në Selenicë të Vlorës, më 1927 greva e përgjithshme ‘e punëtorëve të shoqërisë «Lidhja e punëtorëve rrobaqepës të Korçës» etj. Këto greva ndikuan për forcimin e solidaritetit punëtor.
Gjatë krizës ekonomike të viteve 1929-1933 shfrytëzimi i klasës punëtore arriti kulmin. Qëndresa për mospagimin e taksave, grevat e punëtorëve kundër trajtimit të keq nga ana e kapitalistëve, manifestimet për bukë etj. u shtuan dhe morën karakter më luftarak.
Ndërgjegjja politike e klasës filloi të rrënjoset vetëm me përhapjen e ideve komuniste nga grupet komuniste në vitet 30. Nga grevat dhe përpjekjet e veçuara, punëtorët filluan të kalonin në luftë kundër klasës së kapitalistëve në tërësi dhe shtetit feudo-borgjez. Kulme të lëvizjes greviste përbëjnë greva e përgjithshme e naftëtarëve në Kuçovë dhe demonstrata e madhe e bukës në Korçë, në shkurt 1936 (shih). Lëvizja greviste, megjithëse nuk dha kurdoherë rezultatet e dëshiruara, shërbeu si shkollë luftarake për t’i edukuar e përgatitur punëtorët për beteja edhe më të mëdha. Gjatë pushtimit fashist të vendit G.P. u zgjeruan e morën karakter të theksuar politik dhe u bënë pjesë e pandarë e Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare.
(S.Adh.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Grevat Punëtore