Grunamadhi

Grunamadhi

(latinisht: Melilotus officinalis Desr., familja Leguminosae)

Përdorimi:
Droga përbëhet nga pjesa mbitokësore e lulëzuar ose nga majat e lulëzuara , të thara, të grunamadhit ose të makthit, i cili është bimë e vendeve gurishtore-ranore e barishtore. Lulëzon në maj-korrik. Bari përdoret sipas porosisë dhe nën mbikëqyrjen e mjekut, si mjet kundër mpiksjes së gjakut, si qetësues, spazmolitik dhe si mjet kundër pezmatimit dhe etheve. Droga rrit qëndrueshmërinë e enëve të gjakut, duke rritur depërtueshmërinë e tyre. Përmirëson qarkullimin e gjakut në tru e në periferi dhe qarkullimin venoz.

Përgatitja:
Përdoret edhe nga jashtë, në formë kompresash, për larje si dhe në formë llapash, si mjet që qetëson, zbut dhe shëron plagë të ndryshme. Një lugë çaji me drogë të grimcuar hidhet në një filxhan çaji me ujë të sapozier. Përmbajtja lihet 15 minuta në qetësi, kullohet dhe pihet. Gjatë ditës mund të pihen 2-3 doza të tilla, dmth. gjithsej 5 gr drogë.
Çaji më i përqendruar që përgatitet duke i hedhur 2-3 herë më shumë drogë, përdoret nga jashtë, në formë komprese e banje, si antiseptik në pezmatimet e syve, për shpëlarjen e plagëve me qelb, si gargarë në xhinxhivitet, aftet, laringjitet etj.
Droga përdoret edhe në formë llape që fitohet duke përzier drogën e grimcuar me ujë të ngrohtë derisa të kthehet në brumë. Ky brumë vihet me ndihmën e një lecke ose garze mbi vendin e sëmurë.

Burime, referenca dhe shënime:
Lista e bimëve mjekësore
Fotografia
✤ Kristian Peters — Fabelfroh 08:32, 18 September 2006 (UTC) – Self-photographed, CC BY-SA 3.0, https://commons.wikimedia.org/w/index.php?curid=1184342

[cite]