GUCIA ALI PASHË


GUCIA ALI PASHË
✤ (? -1885). Veprimtar i lëvizjes antiosmane të gjysmës së dytë të shekullit XIX dhe veçanërisht i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Pronar çifligar, pinjoll i familjes Shabanagaj nga Gucia.

Mori pjesë në kryengritjet që shpërthyen malësorët e veriut kundër politikës tanzimatiste gjatë viteve 60 të shek.XIX. Kundërshtar tepër aktiv i synimeve shoviniste serbe dhe malazeze ndaj tokave shqiptare. Një ndër nismëtarët e themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe një nga figurat e dalluara të Këshillit Kombëtar të saj. A.p.G. ishte një nga udhëheqësit kryesorë të rrymës centriste, qe kërkonte luftë kundër

shovinistëve

fqinjë

për mbrojtjen e tërësisë tokësore të atdheut, për një ballafaqim të matur me Portën e Lartë përsa u përket të drejtave të autonomisë së Shqipërisë. Për vendosmërinë e tij luftarake, kryesia e Lidhjes Shqiptare e zgjodhi kryetar të Shtabit Ushtarak për mbrojtjen e

Plavës

dhe Gucisë.

Në muajt e fundit të veprimtarisë së Lidhjes A.p.G. u bind se autonomia nuk mund të fitohej pa luftë kundër Portës së Lartë, por megjithatë nuk u shkëput nga partizanët e rrymës së moderuar. Pas shtypjes së Lidhjes Shqiptare, sulltani e kurseu A.p.G., madje e emëroi mytesarif të Pejës. 4 vjet më vonë, u vra me një atentat, të organizuar, sipas zërave të asaj kohe, nga vetë qeveritaxët e Stambollit.

(K.F.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Gucia Ali Pashë


[cite]