HARTA GJEOLOGJIKE E SHQIPËRISËS
✤ (1983). Hartë gjeologjike në shkallë 1:200.000, që pasqyron ndërtimin gjeologjik të Albanideve. Është vepër e shërbimit gjeologjik shqiptar që sintetizon të gjitha llojet e punimeve gjeologjike rilevuese, tematike e përgjithësuese, si dhe të kërkimit, të zbulimit e të shfrytëzimit të mineraleve të dobishme. Paraqet të dhëna të reja e të argumentuara për përhapjen, moshën dhe llojet e, shkëmbinjve e të formacioneve të ndryshme gjeologjike, si dhe për stilin tektonik të Albanideve (shih). Shoqërohet me prerjet gjeologjike në shkallë 1:200.000, si dhe me tekstin sqarues përkatës. Ka ndryshime nga hartat e mëparshme për saktësinë e kufijve gjeologjikë dhe hollësinë e të dhënave gjeologjike të paraqitura.
Punimet për përpilimin e H. Gj. të Sh. në shkallën 1:200.000 janë drejtuar nga Instituti i Studimeve dhe Projektimeve të Gjeologjisë (shih) dhe Instituti i Studimeve e Projektimeve Gjeologjike të Naftës e Gazit (shih). Kryetar i grupit përpilues ka qenë Rexhep Shehu.
(R. Sh.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Harta Gjeologjike E Shqipërisës
[cite]