HUATË E BRENDSHME SHTETËRORE
✤ Formë e marrjes kredi nga ana e shtetit socialist, që shërben për mobilizimin me plan e mbi baza vullnetare të kursimeve monetare të punonjësve dhe përdorimin po me plan të tyre për plotësimin e nevojave të përgjithshme të shtetit. Në këtë rast shteti paraqitet si huamarrës, ndërsa popullsia si huadhënës.
Në RPS të Shqipërisë janë emetuar gjithsej katër hua të brendshme shtetërore me një shumë të përgjithshme prej 158,6 milionë lekë dhe me kushte shlyerjeje në afate të caktuara me ligj (si rregull brenda 20 vjetësh). Megjithëse zinin një peshë të vogël në të ardhurat e buxhetit të shtetit, ato ndihmuan për shpejtimin e ritmeve të ndërtimit të bazës ekonomike të socializmit. Ato shprehnin patriotizmin e popullit dhe gatishmërinë për të dhënë ndihmën e tij në ndërtimin e socializmit. Detyrimi i shtetit si huamarrës shprehej me anën e obligacioneve (letra me vlerë) që përfaqësonin vleftën nominale të huas së marrë prej tij. Interesi vjetor i huas nuk i jepej nominalisht çdo huadhënësi, por shpërndahej në formë llotarie. * Huaja e parë u emetua në korrik 1949. Mbas vitit 1955 si rezultat i zhvillimit dhe i forcimit të vazhdueshëm Itë ekonomisë, nuk lindi më nevoja për të emetuar hua të brendshme shtetërore.
(B. P.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Huatë E Brendshme Shtetërore