INSTITUTI FEMËROR I TIRANËS


INSTITUTI FEMËROR I TIRANËS
✤ Shkollë e mesme për vajza, që përgatiste mësuese. U hap në tetor 1933 me një degë normale dhe një degë lice, si vijim i shkollës normale «Naim Frashëri» (1930). Më 1937 në radhët e nxënësve depërtuan idetë komuniste, lexohej literaturë klandestine me përmbajtje revolucionare dhe u formuan grupe simpatizantesh. Nxënëset iu kundërvunë me vendosmëri të gjitha formave për fashistizimin e jetës së shkollës, që u përpoqën të zbatonin autoritetet pas pushtimit fashist italian më 1939. Pas themelimit të PKSH dhe të RKSH shkolla u kthye në një vatër të luftës antifashiste çlirimtare. Vajzat e popullit morën pjesë në demonstratat antifashiste, ndihmonin për propagandën dhe traktet e Partisë, ahe shumë prej tyre u hodhën në ilegalitet e dolën partizane. 8 nxënëse ranë dëshmore, ndërmjet tyre Heroinat e Popullit Margarita Tutulani, Shejnaze Juka e Ylbere Bilibashi. Traditat e kësaj shkolle nga më të vjetrat të arsimit të mesëm për vajza, vijojnë në shkollën e mesme pedagogjike «17 Nëntori» (hapur në mars 1945).

(Sh.O.—Va.B.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Instituti Femëror I Tiranës


[cite]