INSTITUTI I FIZIKËS BËRTHAMORE


INSTITUTI I FIZIKËS BËRTHAMORE
✤ Institut kërkimor-shkencor i Akademisë së Shkencave që punon në fushën e fizikës bërthamore të zbatuar. Ka detyrë themelore të mbështesë zhvillimin e prodhimit dhe të kërkimit shkencor në vend, duke futur në përdorim të gjerë arritjet e fizikës dhe të teknikës bërthamore. Është krijuar më 1971 mbi bazën e Laboratorit të Rrezatimeve Bërthamore (të ngritur më 1969) pranë katedrave të fizikës të Fakultetit të Shkencave të Natyrës të UT. Më 1973 kaloi në varësi të Akademisë së Shkencave. Instituti ka katër sektorë shkencorë: të radiometrisë, të radiokimisë, të elektronikës bërthamore dhe të akseleratorit. Veprimtaria e tyre përfshin përdorimet e gjurmuesve radioaktivë, efektet e rrezatimeve gama dhe elektronike, studimin e radioaktivitetit natyror, metodat analitike bërthamore (aktivimin neutronik, fluoreshencën X, hollimin izotopik), sintezën e komponimeve të shënuara, masspektrometrinë e izotopeve të lehta, dozimetrinë dhe mbrojtjen nga rrezatimet, elektronikën bërthamore, metrologjinë e burimeve radioaktive etj. Instituti bashkëpunon me njësitë dhe grupet e specializuara të teknikave bërthamore për fusha të caktuara, siç janë njësitë e mjekësisë bërthamore, grupet e karrotazhit, institucionet ku kryhen matie radiometrike dhe me shumë institucione e ndërmarrje që punojnë në fusha ku gjejnë zbatim metodat dhe përdoren instrumente bërthamore, si gjeologjia, radiologjia, radioseleksionimi dhe radiostimulimi, agrokimia, kontrolli i mjedisit, studimi i proceseve teknologjike, sedimentologjia dinamike, ndërtimi i aparateve matëse-kontrolluese etj. Instituti është i pajisur me teknika e aparatura të kohës, ndër të tjera me një akselerator të tipit Van de Graf, një gjenerator neutronesh të shpejta etj. Është qendër e kualifikimit të kuadrit në fushën e përdorimit të teknikave bërthamore, kontrollon nivelin teknik të personelit që punon me rrezatime jonizuese dhe ndihmon organet e shëndetësisë për problemet e higjienës së radiacionit. Përqendron porosinë e lëndëve radioaktive dhe autorizon shpërndarjen dhe transportin e tyre për të gjithë vendin. Përfaqëson shtetin për probleme teknike në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) me cilësinë e së ashtuquajturës Autoritet Atomik i vendit. Boton përmbledhjen joperiodike «Punime të Institutit të Fizikës Bërthamore».

(P.S.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Instituti I Fizikës Bërthamore


[cite]