Investitura
Investitura është e drejta e mbretit ose e perandorit në Perëndim, për t’i dhënë klerikëve të lartë unazën dhe shkopin episkopal (skeptrin), si simbole të pushtetit shpirtëror. Në vitin 1073 në fronin papal hipi murgu Hildenbrant që mori emrin Papa Grigori VII. Me nxitjen e Hildenbrantit, Papa Nikolla II, thirri një sinod në vitin 1095, në të cilin u vendos që në të ardhmen zgjedhja e papëve të bëhej vetëm nga konçili i kardinalëve, ndërsa sovranët të mos përziheshin në këto punë. Ideja që e mundonte Hildenbrantin ishte krijimi i një perandorie universale mbi tokë, kreu i së cilës do të ishte papa, si përfaqësues i Perëndisë, ndërsa mbreti ose perandori të viheshin në urdhërat e papës. Ai ndaloi çdo kler të lartë, episkop, igumen etj, që të pranonte investiturën, nga mbretërit (d.m.th unazën dhe skeptrin, që ishin simbole të pushtetit shpirtëror). Kleriku që do të shkelte këtë rregull do të shkarkohej dhe mbreti do të ç’kishërohej. Me këtë masë shpresonte t’i jepte fund, përzjerjes së autoriteteve laike në punët e kishës dhe simonisë që praktikohej nga autoritetet laike, në dhënien e këtyre ofiqeve kishtare. Dekreti papal në lidhje me investiturën, ngjalli pakënaqësi tek të gjithë sovranët e Evropës Perëndimore, sepse u cënonte të drejtat që gëzonin prej kohësh.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Zef Mirdita, Krishtënizimi ndër shqiptarë, Drita, Zagreb 1998, faqe 58.