ISLAMIZMI


ISLAMIZMI
✤ (Myslimanizmi). Doktrinë fetare me prejardhje nga Lindja; normat e tij fetare e morale ishin baza juridike-ideologjike e shtetit teokratik të sulltanëve. Në Shqipëri I. u përhap me pushtimet osmane që nga fundi i shek.XIV dhe u shërbeu pushtuesve për të neutralizuar qëndresën e masave kundër shfrytëzimit dhe për asimilimin ideologjik-politik e kulturor të popullsisë. Përkatësia në fenë zyrtare ishte kushti themelor për të gëzuar të drejtat e plota politike-shoqërore dhe pronën e tokës; rrjedhimisht ishin shtresat e larta të parat që përqafuan I. dhe filluan të integroheshin në klasën sunduese osmane. Diskriminimi i rëndë juridik-shoqëror e fiskal, taksa e kokës, xhizja (shih) që në tokat shqiptare me qëllim u ngrit në masë më të lartë, e dhjeta e djemve, devshirme (shih), ekspeditat ndëshkimore në zonat e qëndresës, i detyruan edhe masat popullore të kërkonin lehtësimin e situatës duke përqafuar I. Në shek.XVII kjo fe përfshiu më tepër se gjysmën e popullsisë shqiptare, nga 10% që kishte qenë në shek.XVI dhe arriti të depërtonte edhe në vise malore. I. mbeti në mjaft raste një shtresë e sipërfaqshme që nuk mundi të ndante e veçonte në jetën ekonomike e shoqërore popullsinë me fe të ndryshme, madje çoi në dukuri sinkretizmi fetar («laramanët»). Me gjithë ndikimet orientale që solli me vete, I. nuk mundi të krijonte ndryshime themelore në kulturën popullore shqiptare. Institucionet fetare islamike të pajisura me prona të mëdha tokësore, një rrjet i gjerë klerikësh të varur prej sulltanit, “i cili si Kalif ishte edhe kryetar i fesë, përbënin një mbështetje të fuqishme të sundimit -të perandorisë feudale ‘Osmane; me predikimin e nënshtrimit dhe të bindjes dhe nga ana tjetër të përçarjes fetare ato ishin armiq të betuar të lëvizjes antifeudale dhe çlirimtare antiosmane, ashtu siç qe ideologjia e tyre obskurantiste një arndke e betuar e lëvizjes së Rilindjes për bashkimin kombëtar, për gjuhën e arsimin kombëtar, për një kulturë laike të përparuar e demokratike.

Me rënien e perandorisë së kalbur feudale osmane, kleri islamik shqiptar dhe institucionet e tij u shkëputën nga vartësia e Kalifit dhe u bënë përpjekje për një modernizim të I; më 1923 u krijua komuniteti mysliman shqiptar si institucion i pavarur, por nuk ndërroi aspak botëkuptimin e tij mesjetar dhe ai mbeti mbështetje e forcave shoqërore më reaksionare dhe antipopullore. Kleri i lartë islamik si^edhe ai i feve të tjera përkrahu regjimin antipopullor e antikombëtar të A.Zogut si edhe pushtuesit fashistë, përkrah të cilëve ai luftoi hapur kundër Luftës ANÇ. Ndryshe nga kleri i lartë, një varg pjesëtarësh të klerit të ulët islamik punuan qysh nga koha e Rilindjes si atdhetarë për arsim, gjuhë e kulturë kombëtare, e më vonë morën pjesë me armë në dorë edhe në Luftën ANÇ. Çlirimi i vendit dhe revolucioni popullor, zhvillimi i vrullshëm shoqëror e kulturor i hoqën tokën nën këmbë veprimtarisë dhe ndikimit të klerit në përgjithësi dhe i çliruan masat popullore nga prangat e fesë. Më 1967, me revolucionarizimin e mëtejshëm të jetës, kleri islamik dhe institucionet e tjera fetare e ndërprenë veprimtarinë e tyre.

(V.Bu.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Islamizmi


[cite]