Jeronimi
(greqisht: Ιερώνυμος) Jeronimi (331-420) ka lindur në vitin 331, në Stridon të Dalmacisë nga prindër të krishterë. Studimet për retorikë, filologji dhe filozofi greke dhe latine i kreu në Romë. Në vitin 356 u pagëzua nga papa Liberi (352-361). Vite më vonë filloi të merrej me studime teologjike. Në vitin 373 udhëtoi duke kaluar nga Greqia dhe Azia e Vogël për në Antioki të Sirisë ku mësoi interpretimin e shkrimit. Pasi u shërua nga një sëmundje e rëndë mësoi hebraishten, ndërsa paralelisht punonte për të jetuar. Në vitin 377 u dorëzua pa dëshirën e tij presviter dhe shërbeu në Antioki. Ai preferoi të bënte jetë asketike. Në vitin 380 shkoi në Kostandinopojë për të mësuar pranë Grigor Teologut. Për shkak të problemeve kishtare më 382 shkoi në Romë. Jeronimi udhëhoqi shpirtërisht një shoqëri virgjëreshat fisnike, të cilat dëgjonin me zell këshillat e tij. Prej tyre mund të përmendim Aselën, Markelën, Pavlën, Eustikian etj. Në këtë kohë duke parë aftësitë e tij, Papa Damasi e caktoi të përkthente Shkrimin e Shenjtë në gjuhën latine. Në vitin 384, priftërinjtë e Romës e akuzojnë duke shpifur për të. Kështu Jeronimi la Romën dhe u vendos në Betlehem të Palestinës ku krijoi dy manastire. Manastirin e burrave e drejtonte vetë, ndërsa atë të grave ia besoi patricias romake Paolës. Jeronimi fjeti më 30 shtator të vitit 420, në moshën 90-vjeçare. Shkrimet: a) Përkthimet. 1) Itala, i cili është përkthimi i Shkrimit të Shenjtë në gjuhën latine. Përkthimi i tij do të bëhej më vonë versioni zyrtar i Kishës Latine. 2) Nga hebraishtja ka përkthyer Vulgatën, të cilën e shkroi në Betlehem, ndërmjet viteve 391- 404. 3) Nga Origjeni ka përkthyer 14 biseda mbi Jeremian dhe 14 biseda mbi Ezekelin. Këto i ka shkruar në Betlehem në vitin 381. Ka përkthyer 39 biseda mbi Llukën, 2 për Kantikun e Kantikëve dhe 8 biseda për Isaian. Këto i shkroi në Romë ndërmjet viteve 385- 387.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)