Jerotheu
shqiptar ortodoks Jerotheu (+1956) ka lindur në fshatin Çarshovë të Përmetit. I ati quhej Andon Jaho dhe e ëma Kostandina. Janaqi vitet e fëmijërisë i kaloi në vendlindje. Në moshën e rinisë vajti tek i ati në Stamboll për të ndjekur studimet e larta në Shkollën Teologjike të Halkit, të cilat i përfundoi në vitin 1907. Tema me të cilën mbrojti diplomën ishte: “Hirotonia dhe zgjedhja kanonike e Fotit”. Pas përfundimit të studimeve përqafon jetën monakale dhe ushtrohet në Skitin e Shën Anës duke marrë emrin Jerothe. Vite më vonë e gjejmë Kryefamulltar në Kalqedoni të Stambollit. Duke ngjitur njëra pas tjetrës shkallët e hierarkisë kishtare arriti që më 12 janar të vitit 1914 të hirotoniset Episkop i Melitopojës. Dorëzimi i tij u bë nga vetë Patriku Ekumenik. Pas Kongresit të Beratit, Patriarkana Ekumenike vendosi të dërgonte Mitropolitin e Melitopojës, Jerotheun si eksark patriarkal, i cili mbërriti në Korçë më 27 nëntor 1922. Hirësia e Tij Jerotheu i dërgoi Patriarkanës Ekumenike raportin përkatës më 8 dhjetor 1922 duke i kërkuar që të dërgonte në Shqipëri Mitropolitin e Sinadonit Kristofor Kisin. Me ardhjen e këtij të fundit, më 4 dhjetor 1923 Jerotheu dhe Kristofori dorëzuan në gradën episkopale Theofan Nolin në Kishën e Shën Gjergjit në Korçë. Imzot Jerotheu u zgjodh Mitropolit i Beratit. Me interesimin e Imzot Jerotheut u botua Revista “Zëri i Orthodhoksisë”. Kjo revistë u botua në qytetin e Korçës ndërmjet viteve 1924-1925. Kjo ishte edhe revista e parë e Kishës Orthodhokse. Vite më vonë pas problemeve të krijuara në vitin 1929 Imzot Jerotheu vendosi që të largohej nga Shqipëria. Ai u vendos në Skitin e Shën Anës në Shën Elefteri Vuleftira në Malin Athos. Për 27 vjet rresht ka qenë i vetmi episkop në Malin e Shenjtë. Imzot Jerotheu fjeti përgjithmonë më 1 shkurt të vitit 1956. Ceremonia e përmortshme u zhvillua më 2 shkurt në katedralen e Shën Dhimitrit në Selanik. Fjalën e rastit e mbajti teologu me origjinë nga Përmeti Vasil Joanidhi. Ky i fundit ishte diplomuar në Shkollën Patriarkale të Halkit në vitin 1917. Në vijim ka qenë profesor në fakutetin teologjik të Selanikut. Lipsanet e Imzot Jerotheut janë në Skitin e Shën Anës në Malin Athos.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Dhimitër Beduli, Teologë me origjinë shqiptare që janë diplomuar në Institutin Teologjik të Halkit, Ngjallja, tetor 1996, faqe 10.
2-Ilia Spiro Vasili, Si e gjeta Episkopin Jerotheos, Ngjallja, gusht 1996, faqe 9.
3-Ilia Spiro Vasili, Jeta dhe veprimtaria e dhespotit Jerotheos, Ngjallja, maj 2003, faqe 9,10.
4- Kristofor Beduli, Revista Zëri i Orthodhoksisë, Ngjallja, qershor 2002, faqe 4.