Johan Viclif
Johan Viclif (1320-1382) ka lindur në fshatin Viclif, në krahinën e Yorkut, në vitin 1320. Studjoi filozofi, teologji, si dhe shkencat juridike në Universitetin e Oksfordit. Në vitin 1372 u emërua profesor në Oksford dhe dy vjet më vonë famulltar në Lutervorf. Viclif mori pjesë aktive në luftën midis Universitetit të Oksfordit dhe urdhërave domenikane e françiskane, të cilët kishin monopolizuar pothuajse të gjitha funksionet e larta kishtare. Viclif përktheu Biblën në gjuhën angleze dhe dërgoi predikime ambulante në gjithë vendin të quajtura Lolarde, me qëllim që të përhapte mësimet e tij, në masën e popullit. Në atë kohë ndodhi një kryengritje fshatare, e cila iu atribua në një masë të madhe Lolardeve. Në një sinod, që u mbajt në Londër, më 1382, që njihet në histori me emrin “Sinodi i Tërmetit”, u dënuan idetë reformatore të Viclifit. Atij iu desh të linte katedrën e teologjisë në Oksford dhe të tërhiqej në famullinë e tij, në Lutervorf, ku shkroi veprën “Trialigus”. Më 28 dhjetor 1382, Viclifi pësoi një atak dhe pas tre ditësh vdiq.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)