JURASIKU


JURASIKU
✤ Periudha e mesme e erës mesozoike, që vijon pas triasit (shih) . dhe paraprin kretakun (shih) e zgjat në kohë rreth 59 milionë vjet (nga para 195 deri para 136 milionë vjet). Gjatë J. janë formuar shkëmbinjtë që përbëjnë sistemin jurasik. Ndahet në J. e poshtëm ose liasin hë të cilin bëjnë pjesë katet (shekujt gjeologjikë) hetanzhian, sinemurian, plinsbahian e toarian; në J. e mesëm ose dogerin me katet alenian, bajosian, batian e kellovejsian dhe në J. e sipërm ose malmin me katet oksfordian, kimerixhian e titonian (portlandian). Gjatë J. në trevën mesdhetare dhe në Albanidet prishet monotonia e paleogjeografisë triasike dhe veçohen zona të ndryshme strukturalofaciale. Në këtë periudhë me klimë të ngrohtë e subtropikale zhvillohet shumë bimësia në sterë, shfaqen gjitarët dhe shpendët e parë dhe zhvillohen mjaft zvarranikët e mëdhenj në sterë e në det. Po në det zhvillohen alget, koralet, sfungjerët e butakë të ndryshëm, sidomos amonitet

Në Albanidet gjatë J., krahas veçimit të tërë zonave, u zhvillua një magmatizëm i fuqishëm ultrabazik e bazik, si pasojë e të cilit u formuan ofiolitet (shih). Ndërkohë në hullinë e Krastë-Cukalit vazhdoi formimi i gëlqerorëve e stralleve të pasur me radiolare, ndërsa në zonën e Mirditës u formuan kryesisht gëlqerorë. Edhe në zonën e Alpeve Shaiptare, që ishte kurrizore nënujore, u formuan kryesisht gëlqerorë organogjenë, ndërsa në pjesën kalimtare për në hullinë e Krastë-Cukalit u formuan gëlqerorë me strall. Në hullinë Jonike, në fillim të J. deti ishte i cekët dhe u formuan gëlqerorë herë-herë të pasur me fosfat, mandej deti u thellua dhe krahas gëlqerorëve u formuan shtresa stralli. Ndërkohë në kurrizoren nënujore të Krujës dhe të Sazanit u formuan gëlqerorë e dolomite në det të cekët. Nga fundi i J. si pasojë e hapjes së oqeanit Atlantik, në Albanidet e brendshme ndodhi faza rrudhosëse kimerike, që nxori mbi ujë treva të gjera të zonës së Gashit, të Korabit dhe të Mirditës, i dha shkas formimit të flishit të hershëm dhe nxiti lëvizje. të mëdha tefetonike mbihipëse kah perëndimi.

(A. Xho.-H. Dal.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Jurasiku


[cite]