Klemendi XI Albani
shqiptar ortodoks Klemendi XI Albani (1649- 1720) ka lindur në qytetin e Urbinos në Itali më 23 korrik të vitit 1649 në një familje arbëreshe. Mbas kryerjes së shkollës fillore në qytetin e lindjes, më 1660 shkoi në Romë për të ndjekur Kolegjin Romak. Në kohën që ishte student ai diktoi në Abacinë e Grotaferratës një monoskrit të Vasil Profirogjenitit, për të cilin mendohej se kishte humbur. Në Grotaferrata edhe sot e kësaj dite janë murgjit arbëreshë bazilianë të ritit bizantin. Albani punonte dhe hulumtonte në biblotekën e këtij manastiri për t’u edukuar me traditën arbëreshe. Ky manastir i dedikohet Shën Nilit, i cili ishte shqiptar me origjinë dhe kishte emigruar në Itali përpara se të ndodhte skizma midis kishave (1054). Në vitin 1668 Gjon Françesku u diplomua për drejtësi në Urbino dhe menjëherë filloi të studionte filozofi dhe teologji. Në vitin 1670 ai fillon karrierën e tij kishtare duke pranuar emërimin për kanonik. Në vitin 1683 Gjon Françesku emërohet vikar për juridiksionin e Shën Pjetrit, ndërsa më 3 tetor 1687 do të pranonte sekretarinë e shkresave (Segretaria ai Brevi) në Vatikan. Tre vjet më vonë, më 13 shkurt 1690 Gjon Françesk Albani u emërua kardinal, me detyrë organizimin e klerit francez. Mbas vdekjes së Papës Inoçenti XII më 27 shtator 1700, filluan preçedurat për zgjedhjen e njeriut të ri që do të drejtonte Vatikanin. Më 18 dhjetor 1700, Albani u kurorëzua papë në Lateran të Romës. Krenaria e origjinës shqiptare u rishfaq edhe në momentin që ai u zgjodh papë, sepse emrit të tij të papërisë, që përkonte me emrin e lavdishëm të fisit shqiptar të Kelmendit do t’i shtonte edhe mbiemrin e tij Albani, për tu dalluar përpara gjithë botës se ishte shqiptar. Në këtë mënyrë ai praktikon të dy emrat Klement dhe Albani duke i motivuar ato me botën shqiptare, sepse njeri emër ishte i një fisi të famshëm shqiptar, dhe emri+ tjetër i vetë popullit shqiptar, të cilin e kishte në shpirt. Me ardhjen e papës Klementi XI Albani (1700-1720) në selinë e Shën Pjetrit, filloi interesimi i jezuitëve për shqiptarët, duke grumbulluar lerat dhe qarkoret ipeshkënore, por edhe dokumente të tjera nga trevat shqiptare me qëllim që të kompletohet përmbledhja me titull “Illyricum Sakrum”. Kjo vepër u përgatit nga jezuitët Daniele Farlati dhe Giakomo Coleti. Kjo vepër e rëndësishme për historigrafinë shqiptare është botuar me tetë vëllime me titullin “Illyricum Sakrum”. Në vitin 1703 papa Klementi XI Albani mblodhi kuvendin e Arbërit.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Engjëll Sejdaj, Papa shqiptar Klementi XI Albani dhe Kuvendi i Arbërit, Gjon Buzuku, Prishtinë 1998, faqe 20-56.