KODIKU I 22-TË, I BERATIT
(UNGJILLNË PERIKOPE)
Materiali: Pergamenë.
Përmasat: 25.8 x 22 cm.
Sasia e fletëve: 172.
Teksti: Në dy kolona, me 22-23 rreshta për kolonë.
Grafia: E tipit të vonë, shkruar në ngjyrë kafe të çelët; në disa fletë titujt janë në ngjyrë
të kuqe, po ashtu dhe inicialet.
Kapakët: Prej dërrase, veshur me lëkurë, me zbukurime lineare të stampuara në
presë.
Dëmtimet: Lëkura e kapakut është grisur mjaft në pjesën ku ngjitet. Pesë fletët e para
janë ngrënë nga insektet nga ana e djathtë, duke dëmtuar 9 rreshta. Në kolonën e majtë
është dëmtuar shumë një vinjetë dhe teksti shoqërues. 6 rreshtat e fundit ruhen pjesërisht,
po ashtu dhe në faqen verso. Prej fletës 2 deri në fletën 24 është dëmtuar pjesa e sipërme e
kodikut, në qoshen e majtë. Dëmtimi ka ndodhur për shkak të kalbjes nga lagështia. Ka dhe
vende ku është grisur teksti, duke dëmtuar dhe leximin. Lagështia ka cënuar dy rreshtat e
parë të kolonës së djathtë, por duke mos e dëmtuar tekstin. Fletët prej 82 deri 86 janë grisur
ca në cepin e poshtëm, duke mos dëmtuar tekstin. Fleta 88 është grisur dhe është marrë,
duke lënë në dorëshkrim një pjesë fragmentare, me rreshta të paplotë. Dëmtimi prej lagështisë
rifillon prapë prej fletës 92 deri në fletën 103, si dhe prej fletës 126 deri në fletën 130, ku janë
dëmtuar rreshtat e parë të kolonave. Fleta e fundit, fleta 172, është dëmtuar në rreshtat e
sipërm, në cepat.
Zbukurimet: Në fletën e parë ruhet një vinjetë e dëmtuar shumë. I dëmtuar është dhe
teksti shoqërues (i errësuar). Në fletën 131 ruhet një tjetër vinjetë në formë shiriti, ndarë në
trekëndëshe, formuar prej linjash të gjelbra, me lule të bardha të stilizuara, vendosur mbi një
sfond të kuq. Edhe në fletën 137 ruhet një vinjetë në formë shiriti, me vendosje horizontale,
me gërshetim linjash të bardha mbi sfond të kuq. Inicialet janë të mëdha dhe duken të pikturuara
bukur.
Duke u bazuar në grafinë me vlera bukurshkrimore, kodiku në fjalë duhet t’i atribuohet kohës
prej shekullit të 12-të deri në shekullin e 13-të.

* Kodikët e Shqipërisë
*Lista e Kodikëve

 

[cite]