KODIKU I 29-TË, I BERATIT
(KATËRUNGJILLËSH)
Materiali: Pergamenë.
Përmasat: 24 x 17.5 cm.
Sasia e fletëve: 186
Teksti: Në një kolonë, me 22 rreshta për faqe, me shkronja të vogla të tipit të vonë, në
ngjyrë kafe të errët. Pas fundit të çdo ungjilli ka shënime rreth tij, me grafi të kuqe të zbehtë.
Titujt janë me shkronja kapitale.
Kapakët: Prej dërrase, veshur me pëlhurë, e cila ka mbetur fragmentare, kurse dërrasa
e kapakut të poshtëm është brejtur mjaft nga mola. Lidhja e fashikujve të kodikut është e
vjetër, dhe fashikujt ka rrezik të shkëputen nga lidhja.
Dëmtimet: Kodiku në fjalë ka pësuar mjaft dëme. Fleta që mbulonte kapakun nga faqja e
brendshme është grisur, kurse fletët 1-8 ruhen të fragmentuara. Kodikut i mungojnë shumë
fletë të Ungjillit sipas Mateut. Ky ungjill, kështu i dëmtuar, fillon me vargjet: “Nuk mund t’i
shërbeni perëndisë dhe …“. Shumë fletë janë shqitur pjesërisht nga lidhja. Fleta 41 verso
nuk korrespondon me tekstin e fletës 42. Duket se ka hyrë këtu gabimisht. Ndërmjet fletëve
75 e 76 duket se mungon një fragment teksti, ose është shkëputur një fletë. Fleta fillestare e
Ungjillit sipas Lukës, sipër titullit me shkronja kapitale, ka të prerë vinjetën, të cilën një dorë
skandaloze e ka marrë. Prej fletës 144 ka depërtuar lagështia deri në fletën 145. Fletët 181-
183 rreshtat e parë i kanë të dëmtuar. Pas kësaj dy fletë janë shkëputur nga lidhja dhe fleta e
fundit ka mbetur fragment. Kjo nuk ka tekst ungjilli, por lutje. Fjala e Shën Gjon Gojartit në
fletën e fundit nuk ruhet e gjitha, sepse vazhdimi në fletën pasuese është grisur.
Sipas grafisë së tekstit, kodiku duhet t’i atribuohet afërsisht fillimit të shekullit të 13-të.
Fletët e pastra kanë një pamje shumë të bukur, që ua jep grafia e theksuar bukurshkrimore,
e cila duket si e stampuar.
* Kodikët e Shqipërisë
*Lista e Kodikëve