KODIKU I 53-TË, I BERATIT
(KANONE – POEZI FETARE NË PROZË – QË LEXOHEN NË DITËT E FESTAVE GJATË VITIT NËPËR FALTORE)
Përmasat: 28 x 20 cm.
Sasia e fletëve: 343.
Teksti: Në një kolonë.
Grafia: E tipit të vjetër. Shënimet e poezive janë në ngjyrë të kuqe. Nga një fragment
vinjete në fletën e parë mendojmë se pikërisht me të duhet të ketë filluar kodiku.
Dëmtimet: Katër fletët e para të kodikut janë grisur përgjysmë në drejtimin gjatësor,
kështu që fragmentet e tekstit të tyre nuk e japin kuptimin e plotë të poezisë. Prej fletës 5 deri
në fletën 10 teksti është dëmtuar në pjesën e sipërme nga lagështia. Gjithashtu, prej fletës
16, teksti ka pësuar dëmtime në dy rreshtat e sipërm. Kurse fleta 21 ka një pjesë të grisur, që
ka formën e një pyke, dhe që ka dëmtuar ngapak katër rreshta. Edhe në fletën 22 tre rreshtat
e parë kanë pësuar dëmtim nga lagështia. Nga mesi kjo fletë ka pësuar një grisje të pjerrët
nëpër tekst, por teksti ruhet dhe mund të lexohet. Fleta 57 ka pësuar një djegie të pjerrët dhe
ka dëmtuar 19 rreshtat e fundit gati në mënyrë të plotë.
Fleta e parafundit, në faqen verso, ruan të njëjtin titullim dhe të njëjtin lloj poezie, por me
shkronja krejt të zeza, kurse fleta e fundit është ngjitur në kapakun e poshtëm.
Kapakët: Janë veshur me lëkurë, e cila është brejtur nga insektet dhe lagështia.
Datimi: Duke u mbështetur në grafinë e tekstit, ky kodik duhet t’i atribuohet gjysmës së parë
të shekullit të 15-të.
* Kodikët e Shqipërisë
*Lista e Kodikëve