KODIKU I 72-TË, I KORÇËS
(OKTOIH, ANTOLOGJI MUZIKORE KISHTARE BIZANTINE)
Materiali: letër e hollë e bardhë.
Përmasat: 15.3 x 10.5 cm.
Sasia e fletëve: 280.
Grafia: Njësoj si e tekstit ashtu dhe e notave. Në të dy rastet është e bukur, në ngjyrë
të zezë. Titujt dhe pikëzimet janë në ngjyrë të kuqe.
Stolisja: Kodiku stoliset me vinjeta lineare të bardha me të kuqe, që shërbejnë si dekor mbi
fillimin e tekstit.
Datimi i kodikut shenjohet poshtë fletës së fundit verso. Përmbajtja e shënimit është si vijon:
“U përfundua ky libër në muajin qershor, më 13, ditën e dielë, viti 1736; u shkrua prej meje …“.
Firma e autorit duhet të ketë qenë në fletën tjetër, e cila është grisur dhe marrë.
Dorëshkrimi përmban pjesë muzikore të poetëve kishtarë bizantinë:
Fleta 1 fillon me zërin e katërt të muzikës kishtare bizantine.
Fleta 21 fillon me zërin tërthor i parë.
Fleta 45 fillon me zërin tërthor i dytë.
Fleta 64 fillon me zërin e rëndë të muzikës kishtare.
Fleta 83 fillon me zërin tërthor i katërt.
Përveç këtyre pjesëve të librit të llojit “oktoih” – tetëzërash – dorëshkrimi përmban dhe pjesë
të ndryshme muzikore të muzikës kishtare të këtyre autorëve:
Në fletën 102, pjesë të autorit Kostandin Nagulasit të përpunuara nga Gasi-u.
Në fletën 105, këngë të Shën Mërisë, nga Emanuil Krisafi, i cili ka shumë pjesë të tjera në
këtë dorëshkrim.
Në fletën 106, pjesë nga Joani i Ëmbli (Gliki).
Në fletën 128, dhoksologji e madhe nga Melhisedek Dekresti.
Në fletën143, dhoksologji e madhe nga Emanuil Krisafi.
Në fletën 153, himni i Shën Mërisë për çdo kohë, poezi e bukur e zotit Joan Kukuzelit, mjeshtrit
(në tekst: „maestrit“).
Në fletën 156, mesha e shenjtë e atit tonë shenjt ndër shenjtorë Gjon Gojartit, kryepeshkopit
të Kostandinopojës.
Në fletën 162, himnet kerubike të Emanuil Krisafit dhe kryepsalmet.
Në fletën 181, himni kerubik i së Shtunës së Madhe, nga Niqifor Hlikoi.
Në fletën 228, dhoksologjia e madhe, nga prift Balasi, nomofilakt i kishës së madhe, tetrafonik
(katërzërash).
Në fletën 237, himni i kungimit, nga prift Balasi.
Në fletën 277, himn nga Koroni.
Në fletën 278, mesha e parashenjtëruar, pjesë nga Joasafi, Kukuzeli i Ri.
Në fletën 280, himn nga Joan Llambadhari.
Në fletën 301, himn nga Joan Kladha.
Në fletën 318, himn nga Jerjerark Germanoi.
Në fletën 355, himn nga Theofan Kazriqik.
Në fletën 379, himn nga Panajot Llambadhari.
Në fletën 386, himn nga jeromanak Damiano Malodhoi (Melodhoi).
Në fletën 388, himn nga Meletie Karakalini, jeromonak.
Në fletën 408, himn nga Pietri i Ëmbël (Glikiu).
Në fletën 447, himn nga Pjetër Bizanti, kryepsallt.
Në fletën 456, që është e fundit, janë këto shënime në fund: “Ky libër mori fund më 1736, në
muajin korrik, më 3 dhe 4, ditën e dielë. U shkrua prej meje… “. Fatkeqësisht emrin e autorit
riprodhues e kanë zhdukur, duke prerë letrën.
Përmbi titujt e himneve shpesh herë kodiku ruan ornamente me vizatime interesante, të
ngjyrosura me të kuqe.
Titujt i ka të shkruar me germa të vogla e me ngjyrë të zezë me pikësime të kuqe, në mënyrë
të theksuar kaligrafike, porsi të tipografisë.
Inicialet e çdo himni paraqiten me germa të mëdha të kuqe e të stolisura me ornamente të
kuqe.
Fleta 77 verso dhe 88 recto janë pa shkrim.
Çdo poezi fillon me nga një inicial të stolisur me ngjyrë të kuqe, si dhe shënimet orientuese të
poezive.
Kodiku ruan vineta në fletët: 1, 11, 23, 33, 42, 51 verso, 54, 65 verso, 98 verso, 147, 189.
Ndërmjet fletës 115 dhe 116 mungojnë disa fletë, për të cilat nuk mund të përcaktohet numri.
Në fund kodiku ka dhe 4 fletë të tjera të pashkruara.
Si vepër arti dorëshkrimi paraqitet një kompleks artistik në gjininë e vet.
Sikurse u tha më sipër, përveç autorëve të tjerë të shumtë muzikantë, aty ruhen dhe pjesë të
Jan Kukuzelit, me një himn të tij, muzikant i madh e i shquar në muzikën bizantine, nga
Durrësi, të cilin kopjuesi i dorëshkrimit e quan “maestro“.
Për përmbajtjen interesante të pjesëve të autorëve muzikantë të ndryshëm, ndër të cilët
ruhet dhe pjesa e durrësakut tonë Jan Kukuzelit; për paraqitjen artistike të veprës; si në
shkrimin kaligrafik të notave të tekstit, të ornamenteve dhe të inicialeve; si për faktin që ky
dorëshkrim e kapërcen numrin e katërqind e pesëdhjetë faqeve, duke qenë i vitit 1736, ai
dëshmon për lulëzimin e këtij arti gjatë kohës kur u shkrua, jo vetëm nëpër manastiret e
vendit tonë, por për më gjerë. Prandaj jemi të mendimit se vlefta e këtij dokumenti kultural
është shumë e madhe.
* Kodikët e Shqipërisë
*Lista e Kodikëve