KODIKU I 88-TË, I BERATIT
(PERIKOPE UNGJIJSH)
Materiali: Pergamenë.
Përmasat: 25 x 19.3 cm.
Sasia e fletëve: Ruhen vetëm 93 fletë.
Përmasat: 25 x 19.3 cm.
Teksti: Në dy kolona, me 22 rreshta për kolonë, me grafi të tipit të vonë, por me vlerë
bukurshkrimore, me ngjyra me vlerë artistike, shkruar me ngjyrë kafe, kurse inicialet janë të
mëdha e në ngjyrë të kuqe, ndonjë i rrallë i stolisur (fleta 34 verso). Gjithashtu titujt e perikopeve
janë me shkronja të kuqe.
Kodiku ka pësuar shumë dëme, si vijon: Fleta e parë numerike fillon me stihun (vargun) 43 të
kreut 1 të Ungjillit sipas Lukës, me fjalët: “… Dhe nga më ngjau kjo, që të vijë e ëma tim zot
tek mua…”, që do të thotë se kodikut i mungojnë shumë fletë fillestare. Në fletën e fundit
teksti mbaron me stihun (vargun) 20 të kreut të fundit të Ungjillit sipas Mateut. Kjo tregon se
kodiku nuk I ka as fletët e fundit, se kodikut i kanë zhdukur dhe shumë perikope nga ungjijtë e
tjerë.
Veç këtyre dëmeve, nga fleta 1-8 materiali është i brejtur nga insektet, që kanë dëmtuar
ngapak rreshtat e kolonave nga fundi.
Kodikut i kanë prerë në disa vende pjesë pergamene, duke mos dëmtuar tekstin.
Fletës së parë, në dy faqet, kolonat e tekstit i janë zbehur shumë. Në disa rreshta nuk duket
asnjë fjalë. Prej fletës 39 deri në fletën 43 cepi i poshtëm i pergamenës është ngrënë nga
mola, ku më shumë e ku më pak, duke mos prekur tekstin.
Fletët 53 e 54 janë kalbur nga lagështia dhe në kolonat ka shumë pjesë të vogla me shkronja
që kanë rënë dhe janë zhdukur.
Disa nga fashikujt janë zgjidhur nga vëllimi, prandaj këto duhet të restaurohen me këtë rast.
Kodiku duhet të pajiset me kapakë për t’u siguruar.
Në faqen 28 kodiku ruan një vinjetë në ngjyrë të gjelbër, të kuqe e kafe të errët. Ky dekor nuk
paraqet ndonjë finesë. Kodiku ruan dhe disa iniciale të vizatuara, të cilat janë arrirë pak a
shumë në mënyrë artistike, ndonëse nuk krahasohen me dekoret elegante të kodikëve të
shekullit të 10-të, të 11-të, të 12-të etj., sepse këto të fundit qëndrojnë shumë lart nga ana
artistike.
Duke u mbështetur në grafinë e tipit të vonë, si dhe në konsideratat për dekoret pa shumë art,
mendojmë se kodikun në fjalë duhet t’ia atribuojmë afërsisht fundit të shekullit të 14-të.
* Kodikët e Shqipërisë
*Lista e Kodikëve