Kostandini i Beratit
Kostandini i Beratit i përket një dorëshkrim që gjendet në Bibliotekën Kombëtare. Ai përbëhet nga 152 faqe, ku në 46 faqet e para janë të përkthyera shqip me alfabetin grek lutje të ndryshme fetare dhe pjesë ungjillore që përdoren në shërbesat liturgjike, ndërsa në faqen 106 ndodhet një alfabet origjinal me bazë glagolitike prej 37 shkronjash. Gjithashtu në të gjendet edhe një vjershë me dyzetekatër vargje e titulluar “Zonja Shën Mëri Përpara Kryqësë”, dy glosarë greqisht-shqip me rreth 1710 fjalë si dhe shënime të ndryshme me karakter fetar, ngjarje të ndodhura midis viteve 1764-1789. Përkthimet e tij nuk patën përhapje të madhe sepse nuk mundën të botoheshin. Studiuesi Ilo Mitkë Qafëzezi është marrë me transkriptimin e dokumentit dhe e pagëzoi me emrin “Kodiku i Kostandin Beratit” që i përket vitit 1764. Ky dorëshkrim pasqyron përpjekjet për përdorimin e gjuhës shqipe në shkolla dhe në shërbesat fetare.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)
Bibliografia:
1-Tomor Osmani, Udha e shkronjave shqipe, Shkodër 1999, faqe 104.