Ku shkon shiu

Një nga përbërësit e atmosferës që rrethon Tokën është edhe avulli i ujit, gazi që rrjedh nga avullimi i sasive të mëdha të ujit të detit, të liqeneve dhe të lumenjve. Më pas avulli i ujit kthehet në gjendje të lëngët dhe bie në trajtë shiu ose dëbore. Sasia e ujit që bie çdo vit është kaq e madhe, sa do të mjaftonte për ta mbuluar të gjithë sipërfaqen e Tokës me një shtresë uji me trashësi më të madhe se një metër. Në zonat e thata reshjet vjetore janë vetëm disa centimetra; në zonat me reshje mesatare sasia e reshjeve vjetore arrin në 80 centimetra. Në disa zona të Indisë dhe në/disa vende të tjera reshjet vjetore shkojnë nga 10 në 12 metra

Uji zbret gjatë shpateve, grumbullohet në luginat, vërshon në shtretërit e lumenjve, hap rrugë nën tokë dhe përdoret nga kafshët dhe nga bimët. Një pjesë e mirë avullon pothuajse menjëherë dhe bie pastaj pa kaluar shumë kohë në trajtën e shiut ose të borës. Vetëm një e katërta e lagështisë që bie në formën e shiut ose të borës arrin në det. Mund të nevojiten një milion vjet që një molekulë uji të kalojë nga deti në tokë dhe të kthehet prapë në det. Pasi ka rënë nga reja, pika e shiut mund të përfundojë në ndonjë lumë dhe të qëndrojë atje për disa kohë; prej andej ajo mund të ngjitet prapë në atmosferë ose të futet në përbërjen e lëndës së gjallë të ndonjë bime ose kafshe dhe më në fund të kthehet në ujërat e përrenjve. Më në fund, ka shumë të ngjarë që molekula jonë të zërë vend për një kohë shumë të gjatë në brendësi të kores tokësore dhe të bëjë pjesë në ujërat nëntokësore.

Uji që bie në tokë thithet pjesërisht. Në rast se kokrrizat e dheut ose të shkëmbit nëpër të cilin kalon uji, janë të mëdha, siç janë zakonisht kokrrizat e zallit ose të lavës, uji depërton në tokë. Në rast të kundërt, pra po qe se ai kalon nëpër një shtresë të papërshkueshme nga uji, të përbërë nga grimca shumë të vogla, siç janë grimcat e argjilës, uji ndalet. Për shkak të rëndesës uji tërhiqet poshtë. Megjithatë një pjesë e lagështisë bashkohet me grimcat e dheut (kjo është arsyeja përse toka qëndron e lagët edhe disa ditë pasi ka rënë shiu). Sa më të vogla të jenë grimcat, aq më shumë i qëndrojnë ato veprimit të ujit. Përthithja e ujit përmes grimcave të imëta është një proces që zhvillohet shumë ngadalë. Në disa vende shirat janë të rralla. Ka stinë në të cilat trualli është i thatë deri në thellësi prej disa metrash, por në çdo vend, në një thellësi të caktuar, gjendet medoemos ujë.

Gjatë procesit të depërtimit të tij uji herët a vonë arrin afër shkëmbit dhe, në rast se në brendësi të tij ka të çara, uji futet nëpër to dhe përshkon edhe shkëmbin. Gjatë lëvizjes së tij në drejtim të thellësisë, uji takon ndonjë shtresë shkëmbore ose argjilore përmes së cilës ai nuk ka mundësi të kalojë. Atëherë ai rrjedh përgjatë asaj shtrese të papërshkueshme derisa ,të gjejë ndonjë lloj materiali që ta lejojë të kalojë. Uji nëntokësor, pra ndodhet në lëvizje të pandërprerë. Ai depërton gjithnjë e më thellë derisa të arrijë në ndonjë shtresë në të cilën të gjitha të çarat dhe plasat janë të ngopura me ujë. Atëherë uji ndalet, grumbullohet dhe formon një shtresë ujëmbajtëse.

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]