LËVIZJA TEATRORE AMATORE


LËVIZJA TEATRORE AMATORE
✤ Në Shqipëri nisi që në periudhën e Rilindjes Kombëtare. Më 1874 Koto Hoxhi (shih) me nxënësit e shkollës Normale të Qestoratit organizoi shfaqjen e parë teatrore me suhjekt dasmën e Lunxhërisë, që synonte zgjimin e ndërgjegjes kombëtare. Në Shkodër më 1879 u dha farsa «Makka» e më pas një dramë liturgjike e Leonardo de Martinos (1880). Në Korçë më 1889 u shfaq tragjedia e Shekspirit «Otello». Nëpër shkollat e para shqipe janë dhënë pjesë didaktike, të quajtura fjalëkëmbime, me përmbajtje patriotike, të shkruara nga Gjerasim Qiriazi e Petro Nini Luarasi. Në Kosovë shfaqjet e para u organizuan nga Mati Logoreci më 1889, në shkollën shqipe të Prizrenit.

Hov më të madh L.T.A. mori me ngritjen e klubeve patriotike brenda e jashtë vendit, që përgatitën pjesë si «Besa» e Sami Frashërit, «Vdekja e Pirros» e Mihal Gramenos etj., si dhe pjesë të huaja. Gjatë Luftës I Botërore shfaqjet teatrore u kufizuan shumë. Gjallërim patën ato në vitet 1920-24 me veprimtarinë e Federatës «Atdheu» dhe të organizatës «Bashkimi» të drejtuar nga Avni Rustemi. Me ardhjen e Ahmet Zogut në fuqi lëvizja teatrore përkohësisht pësoi rënie. Në vitet 30 ajo u shtri në disa qytete të vendit.

Ashtu si në periudhën e Rilindjes u dalluan dy drejtime. Drejtimi patriotik u pasurua me pikëpamje përparimtare e revolucionare që u thelluan më tej nga Grupet Komuniste, të eilat morën nën drejtimin e tyre pjesën më të mirë të këtyre grupeve teatrore. Repertori përfshinte vepra origjinale me karakter patriotik e shoqëror, si drama «Besa», «Vdekja e Pirros», «Triumfi i Lirisë», «Lulja e Kujtimit» etj, si dhe vepra të huaja përparimtare si «Vilhem Teli», «Romeo dhe Xhuljeta», «Fshatari Zotni», «Armiku i popullit», etj. Drejtimi klerikal-borgjez, me grupet teatrora shkollore e jashtëshkollore nën ndikimin e jezuitëve e franceskanëve kishte në > repertor pjesë me karakter fetar dhe me prirje sentimentaliste e melodramatike. Vajzat u ngjitën në skenat e teatrit amator të Korçës, i cili ishte nën ndikimin e Grupit komunist. L.T.A. mori vrull gjatë Luftës ANÇ në Teatrin Partizan (shih). Pas Çlirimit të vendit kjo lëvizje mori zhvillim të paparë dhe u shtri në të gjithë vendin, në qytet e në fshat, në çdo ndërmarrje industriale e bujqësore, në çdo shkollë e repart ushtarak. Organizohen periodikisht takime e olimpiada teatrore (shih). Është ngritur niveli artistik i saj. Nga kjo lëvizje plotësohen edhe nevojat e teatrit profesionist e sidomos të kinematografisë.

(Me.P.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Lëvizja Teatrore Amatore


[cite]