LËVIZJA PUNËTORE GJATË PUSHTIMIT FASHIST TË VENDIT


LËVIZJA PUNËTORE GJATË PUSHTIMIT FASHIST TË VENDIT
✤ Luajti një rol të rëndësishëm sidomos në vitet e para të pushtimit (1939-1941) për të mbrojtur klasën punëtore nga shfrytëzimi kapitalist dhe nga shtypja e regjimit fashist. Klasa punëtore shqiptare, si klasa më përparimtare e shoqërisë sonë, nën ndikimin dhe drejtimin e grupeve komuniste, u vu në ballë të kundërshtimit ndaj agresionit fashist dhe të qëndresës popullore kundër pushtimit të huaj. Ajo mori pjesë aktive në demonstratat antifashiste të prillit 1939 (shih), u dallua veçanërisht rinia punëtore që bashkë me rininë shkollore përbënin forcën kryesore të këtyre demonstratave. Mbas pushtimit fashist të vendit, klasa punëtore u bëri një kundërshtim të vendosur shfrytëzimit kapitalist dhe masave shtypëse të regjimit fashist, megjithëse ajo nuk ishte e organizuar si duhet, dhe ato pak sindikata që ekzistonin para pushtimt, u shpërndanë nga fashistët. Me themelimin e PKSH dhe me organizimin e Luftës ANÇ prej saj, lëvizja punëtore u ‘shkri tërësisht me të dhe klasa punëtore bashkë me fshatarësinë e varfër e të mesme u bënë forca lëvizëse kryesore e saj.

Për të mohilizuar klasën punëtore në luftën çlirimtare, PKSH përveç pjesëmarrjes së punëtorëve në njësite guerile, çeta e batalione partizane, orientoi që të ngriheshin edhe shoqata e sindikata ilegale. Gjatë viteve 1943-1944 në Korçë, nën udhëheqjen e organizatës së Partisë, u ngritëm 12 sindikata ilegale të profesioneve të ndryshme me rreth 500 anëtarë që drejtoheshin nga Këshilli Administrativ i Sindikatave Punëtore për Korçën. Po kështu, me direktivë të PKSH, në ndërmarrje të ndryshme të vendit u ngritën organizata partie ilegale, njësite guerrile që luajtën një rol të rëndësishëm për ta hedhur klasën punëtore në kryengritjen e armatosur.

(M.Sh.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Lëvizja Punëtore Gjatë Pushtimit Fashist Të Vendit


[cite]