Lëvizje të ngadalta dhe të menjëhershme
Një pjesë e madhe e shkëmbinjve sipërfaqësorë u janë nënshtruar në njëfarë periudhe rrudhosjeve, palosjeve, shkarjeve, ose thyerjeve të shtresave. Këto procese vazhdojnë, ndonëse shumë ngadalë dhe nuk mund të vërehen. Palosja që ka shkaktuar formimin e Himalajave, është akoma në veprim; procesi i ngritjes është më i shpejtë se ai i erozionit që zhvillojnë faktorët atmosferikë. Ngritja mund të arrijë deri në disa centimetra në vit. Lëvizjet gjatë shkarjeve janë zakonisht të menjëhershme, por mjaft të vogla dhe të lehta për tu përcaktuar me anë të shenjave të drejtpërdrejta, si për shembull me anë të palosjeve ose të thyerjeve të armaturave të puseve ose të tubacioneve. Një lëvizje e menjëhershme, që shkakton një zhvendosje prej disa centimetrash ose disa metrash, shkakton tërmet.
Të ashtuquajturat zona sizmike janë zonat me shkarje «aktive». Zona në jug të Himalajave i është nënshtruar kohët e fundit tërmeteve shkatërruese. Një zonë tjetër e këtij tipi është ajo që gjendet përgjatë shkarjeve, të cilat kanë krijuar luginat e çara ndërmjet Sirisë dhe Afrikës Lindore. Edhe brigjet perëndimore të Amerikës së Jugut në rrëzë të Andeve janë prekur shpesh nga lëkundje të tilla. Një tjetër shkarje që vihet re mirë është ajo që kalon nga Oqeani Paqësor nën zonën e San Françiskos dhe përmes Kalifornisë arrin në Meksikë. Është shkaktuar nga tërmeti që ra në San Françisko në vitin 1906, si pasojë e një lëvizjeje horizontale prej shtatë metrash gjatë shkarjes.