LABINOTI


LABINOTI
✤ Fshat në rrethin e Elbasanit (VL). Qendër e fshatit të bashkuar që përfshin edhe fshatrat: Labinoti Mal, Godoleshi, Mengëli, Griqani, Guri i Zi, Xibraka, Serica, Prapanika; popullsia gjithsej 7280 banorë. L. dëshmohet që në shekullin XV me këtë emër. Gjatë Luftës ANÇ Labinoti Mal ka qenë vendi i disa ngjarjeve të rëndësishme historike. Në mars 1943 u zhvillua Konferenca I e Vendit e PKSH, më 10 korrik 1943 u krijua Shtabi i Përgjithshëm i UNÇ dhe në shtator 1943 u mbajt Konferenca II NÇ. Këshilli NÇ u krijua në fund të vitit 1942. Më 10 shtator 1944 forcat e Brig.VI S ranë në përpjekje në Labinot Fushë me forcat gjermane që vinin nga Greqia. Fshati u çlirua më 15 shtator 1944. L. është qendër e koop. së bashkuar me të njëjtin emër. Drejtimi kryesor i ekonomisë është prodhimi i drithërave të bukës, pemëtaria dhe rritja e gjedhëve. L. ka shkollë të mesme bujqësore, vatër kulture, spital, njësi .tregtare e komunale. Në Labinot Mal është muze shtëpia e ngjarjeve historike të Luftës ANÇ dhe fshatin e vizitoi sh. Enver Hoxha më 10.7.1968.

✤ Klub sportiv i qytetit të Elbasanit. Është vijim i klubit të vjetër «Urani» (1924), më pas «Bashkimi», që kishte veprimtari kryesisht për futbollin. Pas Çlirimit zhvillon të gjitha llojet e sportit, ka arritje kombëtare në lojërat me dorë (kampion kombëtar për femrat në basketboll 1973), në atletikë, çiklizëm etj. Ka ngritur sistemin varg për llojet e sportit. (D.L.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Labinoti


[cite]