LAGUNA E KARAVASTASË


LAGUNA E KARAVASTASË
✤ Laguna më e madhe e Bregdetit të Adriatikut. Shtrihet ndërmjet grykëderdhjes së Semanit dhe Shkumbinit, me sipërfaqe të përgjithshme 41.8 km2, gjatësi maksimale 10.6 km e gjerësi 5.9 km.

Është formuar rreth shek.XVII në zonën e një gjiri të dikurshëm të shkëputur nga deti si rrjedhojë e prurjeve të ngurta të Shkumbinit e Semanit. Pjesë përbërëse e saj është edhe godulla e. Karavastasë (shih). L. e K. lidhet me detin nëpërmjet tre kanaleve dhe ka ujëra me kripësi të lartë nga 20 për mijë gjatë muajve të dimrit deri në 50 për mijë në verë. Meqenëse është e cekët, temp. mesatare mujore e L. së K. në dimër zbret deri në 6°C, ndërsa në verë arrin deri në 29°C. Përmbajtja e oksigjenit lëkundet nga 5.9-9.9 mg/lit në periudhën e thatë të vitit deri 11.3-12.7 mg/lit në atë të lagët. Në L. e K. peshkohen levrekë, koce, ngjala, qefuj etj. Ka një rezervat për pelikanë. (N.P.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Laguna E Karavastasë


[cite]