Lulebasani

Lulebasani

(latinisht: Hypericum perforatum, familja Hypericaceae)

Përdorimi:
Droga përbëhet nga pjesa mbitokësore, e tharë, e lulebasanit (ose lulegjaku, ). Është bimë barishtore shumëvjeçare, e zakonshme në zona të ulëta dhe në vende me barishte. Bima ka efekte antiseptike dhe përdoret në plagë, puçrra dhe në rast djegiesh; përdoret nga goja në sëmundjet e aparatit tretës, të mëlçisë, tëmthit, në hemorragjitë e mushkërive dhe të aparatit tretës, në pagjumësi dhe në sëmundje të veshkave. Ajo përmirëson qarkullimin e gjakut dhe qetëson tensionin nervor.

Përgatitja:
1 lugë gjelle me drogë të grimcuar hidhet në 2-3 gota me ujë, zihet 5-10 minuta, pastaj çaji kullohet dhe pihet gjatë ditës.
Për mjekimin e lëkurës lulebasani përgatitet si vijon: 500 gr lulebasani i freskët dhe i copëtuar zhytet në 1 kg vaj ulliri dhe 0.5 kg verë të bardhë. Përzierja lihet në qetësi për 3 ditë. Pastaj përzierja ngrohet mbi ujë të valuar (jo drejtpërdrejt në zjarr, në një enë të gjerë derisa vera të avullohet tërësisht. Mbetja vajore me ngjyrë në të kuqe ruhet në shishe të vogla (10-20 gr) të mbyllura mirë dhe përdoret në formë kompresash, duke vendosur copa pëlhure të njomura me vaj mbi sipërfaqet e dëmtuara të lëkurës. Kjo ka veprim qetësues, tëlehtë por të vazhdueshëm si dhe ndihmon ripërtëritjen e indeve.
Vaji mund të përgatitet edhe pa verë si vijon: 100 gr bimë e lulëzuar e freskët hidhet në një shishe ku shtohen 250-400 gr vaj ulliri, ose vaj liri, ose vaj luledielli. Shishja me përzierjen lihet 14 ditë në vend me diell, duke e tundur herë pas here. Në vazhdim vaji kullohet dhe përdoret siç treguam më sipër. Droga ruhet në vende të thata deri në 18 muaj.

Burime, referenca dhe shënime:
Lista e bimëve mjekësore
Fotografia
✤ Isidre blanc – Own work, CC BY-SA 4.0, https://commons.wikimedia.org/w/index.php?curid=37905488

[cite]