Lulet e bimëve antofite Bimët që kanë rrënjë, kërcej e gjethe, përbëjnë bimët e quajtura antofite ose fanerogame, d.m.th. ato bimë që janë të pajisura me lule të dukshme. Bimët fanerogame ndahen në dy grupe të mëdha: në bimët farëzhveshura, ku bëjnë pjesë bimët konifere, dhe në bimët farëveshura. Në grupin e bimëve farëveshura hyn numri më i madh i rendeve dhe i familjeve të bimëve me lule. Grupi i bimëve farëveshura ndahet, nga ana e tij, në dy nëngrupe: në atë të bimëve njëthelbore dhe të bimëve dythelbore. Bimët njëthelbore janë bimët që kanë një thelb (një kotiledon), ndërsa bimët dythelbore kanë dy thelbe. Si bimët njëthelbore dhe dythelbore ndahen në rende dhe në familje dhe përfshijnë një numër jashtëzakonisht të madh llojesh. Nëse një njeri i apasionuar pas botanikës dëshiron të dijë emrat e tyre, atëherë ai duhet të mësojë përmendsh rreth 200 mijë emra që cilësojnë llojet e ndryshme të këtyre bimëve, dhe të 300 familjeve në të cilat ndahen ato.