Lulja e pjeshkës Për të paraqitur ndërtimin e një luleje, po përshkruajmë lulen e pjeshkës, që përfshihet në familjen e trëndafilorëve, dhe që është një lule e plotë. Ajo përbëhet nga katër pjesë ose nga katër organe kryesore: 1) Pistili që ndodhet në qendër të lules dhe që ka trajtën e një enëze të gjelbër me qafë të gjatë. 2) Thekët, që janë fijëza të holla me ngjyrë të bardhë në rozë e që janë vendosur rreth e rrotull pistilit; secila prej tyre përfundon, në skajin e saj, me një të futur në ngjyrë të verdhë që quhet pjalmore, sepse përmban pjalmin e lules. 3) Petalet që janë pesë dhe që kanë një ngjyrë rozë disi të thellë; petalet rrethojnë thekët dhe përbëjnë atë që quhet «kurora e lules». 4) Nënpetalet, që janë gjithashtu pesë, e që kanë një ngjyrë të gjelbër në të kuqërreme; nënpetalet rrethojnë petalet dhe, përbëjnë atë që quhet «kupëza e lules». Të gjitha lulet, që janë të ndërtuara njëlloj e që kanë të gjitha karakteristikat e lules së pjeshkës, quhen «lule të plota», ndërsa «lule jo të plota» quhen ato lule që kanë ose vetëm thekët ose vetëm pistilin. Në këto raste, pjesa pjellore e lules, vezorja, mbrohet nga «braktea» ose nga «ndërgjethëza», që është e formuar nga gjethe të vogla të reduktuara. Por edhe te «lulet e plota» mund të vihen re disa ndryshime. Kështu, p.sh., te zambaku dhe te tulipani, nënpetalet, si nga ngjyra dhe nga forma, u ngjajnë petaleve, që janë të vendosura në qerthullin e brendshëm të lules (nënpetalet janë të vendosura në qerthullin e jashtëm të lules).