MAKINAT METALPRERËSE


MAKINAT METALPRERËSE
✤ Makina që shërbejnë për punimin e veglave, detajeve e pjesëve metalike me ndihmën e instrumenteve metalprerëse, duke hequr ashkla e duke u dhënë formë, përmasë dhe ashpërsinë e caktuar. Në M. M. punohen edhe materiale të tjera si druri, lëndët plastike, guri etj. Sipas karakterit të punimit dhe llojit të instrumentit që përdoret M. M. ndahen në: tornuese, shpuese-barenuese, rektifikuese, të kombinuara, të punimit të filetove e të dhëmbëzimeve, frezuese, zdruguese, gdhendëse etj. Sipas shkallës së specializimit ndahen në universale, të specializuara dhe speciale. Sipas përpikmërisë M. M. ndahen në të përpikërisë normale dhe të përpikërisë së rritur. M. M. janë mjete kryesore të prodhimit në ind. mekanike (shih), e cila është e pajisur me një park të fuqishëm M. M. të llojeve dhe grupeve të ndryshme e të një niveli të lartë saktësie dhe automatizimi. Kjo ind. është në gjendje të prodhojë shumë lloje dhe grupe M. M., ndër të tjera ajo prodhon torno, freza, makina për punimin e dhëmbëzimeve, rektifika, makina shpuese etj.

(Al. B.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Makinat Metalprerëse


[cite]