MANÇO TODO


MANÇO TODO
✤ (1921-1974). Militant komunist, pjesëmarrës aktiv i Luftës ANÇ, veprimtar i shquar i ndërtimit socialist, Hero i Punës Socialiste. Anëtar i KQ të PPSH në Kongresin IV të Partisë (1961). Lindi në fshatin Boboshticë të Korçës. Që në moshë të re përqafoi idetë revolucionare dhe më 1938 bëri pjesë në Grupin Komunist të Korçës. Kundërshtoi me të gjitha forcat pushtimin fashist të vendit dhe përqafoi menjëherë vijën revolucionare të PKSH, anëtar i së cilës u pranua në dhjetor 1941. U rreshtua në radhët partizane (1942), ku u ngarkua me funksione politike. Pas mbarimit të studimeve të larta për inxhinier minierash (1952) punoi për një kohë të gjatë në sektorin e minierave, duke dhënë një ndihmesë të çmuar për zhvillimin e industrisë minerare, veçanërisht të industrisë së kromit. Si komunist dhe si kuadër u karakterizua nga ndërgjegjja e lartë dhe mobilizimi në zbatimin e vijës së Partisë dhe të detyrave të ngarkuara. Është lauruar me Çmimin e Republikës. Miniera e kromit në Bulqizë mban emrin e tij. Është zgjedhur deputet në Kuvendin Popullor.

(M. K.-H. Sh.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Manço Todo


[cite]