Mineralet dhe fantazia
Ato që dimë sot për mineralet ia detyrojmë një studimi të ngadalshëm dhe të lodhshëm. Sado që njeriu ishte i gatshëm për ti përdorur ato, njohuritë e tij për mineralet ishin (e nganjëherë janë edhe sot) të përziera me besëtytni qesharake. Vetëm kohët e fundit mund të themi me plot gojën se i njohim me të vërtetë mineralet. Aristoteli thoshte se shkëmbinjtë ishin krijuar nga drita e Diellit dhe e yjeve dhe ky shpjegim i tij vazhdoi ti kënaqte shkencëtarët për më se pesëmbëdhjetë shekuj. Në mesjetë disa studiues, të cilët kërkonin të gjenin një shpjegim disi më të mirë, arritën në përfundimin se mineralet rriteshin nga farërat.
Disa të tjerë thoshin se mineralet përbëheshin nga një lëng i dendur, që lëvizte përmes kores tokësore. Sipas disa të tjerëve mineralet formoheshin në trupat e kafshëve dhe në bimët, ose rridhnin nga uji, ose binin nga qielli. Një grup dijetarësh shprehnin bindjen se mineralet ishin të gjinive të ndryshme, femërore dhe mashkullore, dhe se nën tokë ato qëndronin në familje. Më në fund, disa ishin të mendimit se, ashtu siç provohej nga mbishkrimet që gjendeshin në to, mineralet ishin krijuar nga disa shpirtra misteriozë të nëntokës. Në mesjetë interesimi për veçoritë natyrore të mineraleve ishte i pakët. Studiuesit ishin përpirë krejtësisht nga filozofia dhe nga feja:
Zoti kishte krijuar botën dhe kjo zgjidhte gjithçka. Eksperimentet mbi mineralet u liheshin alkimistëve, që punonin në skutat e tyre të nëndheshme për të realizuar ëndrrën e përjetshme:
për ta shndërruar plumbin në flori. Njohuritë mbi natyrën, të arritura nga njerëz të ashtuquajtur të ditur, përmblidheshin dhe formonin një tërësi supersticionesh dhe besimesh të gabuara, që transmetoheshin në shekuj, brez pas brezi. Mineralet e fshehin mjaft mirë natyrën e tyre. Për shembull, kripa e zakonshme është e përbërë nga një gaz 1 verdhë dhe nga një metal që ka pamjen e argjendit. Diamanti dhe qymyri i butë janë formuar nga i njëjti element: nga karboni. Është fakt se pa shfrytëzuar njohuritë e sotme nuk është e mundur të dallohen me lehtësi mineralet nga sendet e tjera. Prandaj, nuk është fare për tu çuditur nëse njerëzit që jetonin disa shekuj më parë, duke besuar në magjinë dhe duke mos pasur njohuri mbi kiminë, rrëfenin për to përralla të bukura.