Mineralet e para me sy tjetër

Mineralet e para me sy tjetër

Mineralet filluan të konsiderohen si lëndë natyrore në shekullin e gjashtëmbëdhjetë, periudhë në të cilën njerëzit u morën jo vetëm me studimin e Tokës, por edhe me studimin e qiellit e të ajrit. I pari që i shqyrtoi gjërat nga kjo pikëpamje qe një gjerman, Xhorxh Bajeri, me nofkë Agrikola, emër latin, meqë në atë kohë latinishtja ishte në modë si gjuhë e dytë. Dhe Agrikola shkruante latinisht, ashtu siç shkruanin prej pesëmbëdhjetë shekujsh të gjithë shkencëtarët. Ai i bazoi idetë e tij të reja në eksperimentet e bëra në minierën e Saksonisë, ku ishte zhvilluar industria, që shfrytëzonte depozitat e pasura minerare.
Shumë i aftë për t’i nxjerrë ato nga toka dhe për t’i përpunuar, Agrikola i flaku tej supersticionet e vjetra dhe grumbulloi mjaft të dhëna të dobishme. Në librin e tij «Nga Mbretëria Metalike» të botuar .në vitin 1556 dhe që ishte një përmbledhje e bazuar në eksperiencën e tij, ai i klasifikoi metalet jo mbi bazën e vetive magjike dhe të përdorimit të tyre, por në një mënyrë të tillë që të ishte e lehtë më vonë të identifikoheshin, të nxirreshin nga toka dhe të përpunoheshin. Agrikola përshkruante ngjyrën dhe peshën e tyre, transparencën dhe shkëlqimin, fermën dhe strukturën, të gjithë faktorët konkretë. Dha formën tipike të tyre, fortësinë, vetitë djegëse, butësinë në farkëtim dhe në petëzim. Së fundi, foli me tallje për ngjyrën që u jepte fuqinë magjike gurëve të çmuar. Agrikola klasifikoi llojet e shkëmbinjve, në të cilët gjendeshin mineralet. Disa nga klasifikimet e tij sot duken të çuditshme, por zbulojnë vendosmërinë e tij të palëkundur për t’i parë gjërat, ashtu siç ishin në të vërtetë. Me shumë të drejtë ai është quajtur babai i mineralogjisë. Agrikola i klasifikonte mineralet duke u mbështetur në formën e tyre të jashtme; metoda e tij ishte pra e njëjtë me atë që përdoret për të klasifikuar bimët dhe kafshët. Por mineralet përbëhen nga lëndë kimike krejtësisht të ndryshme nga ato të organizmave. Dilte pra nevoja e studimit të tyre në bazë të formës së kristaleve të tyre dhe në bazë të përbërjes kimike. Një nevojë e tillë u pohua nga studiuesi i madh gjerman Abraham Gotlib Verner, udhëheqës i neptunistëve, por që përkrahte kryesisht metodën e vjetër. Qe francezi Rene Zhyst Oi, ai që themeloi shkencën e Kristalografisë dhe qe kimisti suedez Xhon Jakob Berzelius, ai që studioi metodat e analizave kimike të mineraleve. Shkencëtarët e shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe të njëzetë janë ndihmuar nga fizika bërthamore për të shpjeguar rrjedhshëm përbërjen dhe strukturën e mineraleve

Toka – Planeti ku jetojmë

[cite]