MINERALOGRAFIA


MINERALOGRAFIA
✤ Degë e mineralogjisë që studion mineralet jo të tejpashme, veçanërisht xeherorët, në mostra të lustruara (anshlife), duke u mbështetur në aftësinë reflektuese, ngjyrën, reflekset e brendshme, sjelljen ndaj dritës së polarizuar (reflektimi dyfish dhe anizotropia), for.tësinë e mikrofortësinë, si dhe në mikroreaksionet kimike. Studimet mineralografike në vendin tonë kanë filluar në vitet 50 në Laboratorin Qendror të Gjeologjisë në Tiranë. Sot ato janë zhvilluar në Fakultetin e Gjeologjisë dhe të Minierave, Institutin e Studimeve dhe të Projektimeve Gjeologjike e Minerare të Tiranës si dhe në ndërmarrje gjeologjike të vendit. Këto studime kanë ndihmuar për orientimin e drejtë të punimeve të kërkim-zbulimit të xeherorëve, në përcaktimin e gjenezës së tyre dhe për pasurimin e xeherorëve, sidomos të kromit, të bakrit etj. M. merret edhe me përcaktimin e përbërjes e të strukturës së qymyreve,’ gjë që ndihmon edhe për sqarimin e mundësisë së koksifikimit të tyre. (A. Çi.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Mineralografia


[cite]