MITKO THIMI KOSTË
✤ (1820-1890). Folklorist dhe veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare. Lindl në Korçë në një familje me tradita patriotike. Për një kohë punoi në vendlindje. Më pas u hodh në mërgim (Manastir, Athinë, Filipopoli, Vjenë dhe që nga viti 1859 në Egjipt, ku jetoi derisa vdiq).
Zhvilloi veprimtari patriotike të gjithanshme në bashkëpunim me ideologë të Rilindjes (A. Frashërin, K. Kristoforidhin,’ De Radën etj.), ishte figura kryesore e kolonisë shqiptare të Egjiptit dhe ndërmori udhëtime nëpër shoqëritë shqiptare jashtë Atdheut. Shkroi artikuj në shtypin e kohës: në «Zërin e Shqipërisë» të A. Kulluriotit, në «Fiamurin e Arbërit» të J. De Radës, në revistën ndërkombëtare të Kluzhit (Rumani) «Acta comparationis litterarum universarum», ku bënte pjesë në grupin e redaksisë. Mbajti letërkëmbim të gjerë me patriotë brenda dhe jashtë Atdheut si edhe me personalitete politike e kulturore, — me Dora d’Istrien, Majerin, Jarnikun, F. Krispin etj. Në 1859 e më pas botoi në disa numra të gazetës greke «Pandora» (Athinë) shkrimin «Disa shënime rreth Korçës» ku mbrojti të drejtat e popullit shqiptar. Të njëjtin qëllim patën edhe shkrimet e tij «Gazeta e Livornos mbi çështjen shqiptare» (1879), artikujt publicistikë e poezitë. Në shkrimet e tij mishërohen parullat patriotike të Rilindjes: thirrja për bashkim, lartësimi i traditave të kombit, arsimi në gjuhën amtare, kushtrimi luftarak kundër pushtuesve të huaj dhe kundër obskurantizmit fetar. Th. M. u shqua sidomos ‘si folklorist. Ai grumbulloi pasuri të folklorit shqiptar nga krahina të Jugut e të Veriut, por edhe nga arbëreshët e Italisë e të Greqisë, të cilat mundi t’i botojë më 1878 në vëllimin Bleta shqiptare (shih). Sikurse theksohet edhe në parathënien e librit Th. M. në këtë veprimtari u nis nga qëllime patriotike, për të shpëtuar nga harresa krijimet folklorike ku «duket origjina, karakteri, zakonet e kombit*, si dhe «për t’i dhënë një nxitje bashkatdhetarëve të studiojnë gjuhën e tyre amtare që të mundin të zhvillohen dhe të shkojnë përpara si kombet e tjerë». U përpoq për ta paraqitur trashëgiminë folklorike në një plan gjithëkombëtar, me një renditje deri diku shkencore. Në fushën e gjuhës u përpoq të nxjerrë në dritë pasuritë e saj dhe të ngrejë shqipen e folur në shkallën e një gjuhe të punuar të përbashkët. Th. M. shkroi edhe një numër vjershash (rreth 20) me motive atdhetare. Poezia e tij e njohur «E ndë shqiptarët gjithë sa janë» (1867), me thirrjet për bashkim dhe për kryengritjen e armatosur, është një nga dëshmitë e para të letërsisë sonë luftarake të Rilindjes. Përshtati «Marsejezën» etj. Botimi më i plotë i trashëgimit të tij është «Thimi Mitko, Vepra», T. 1981.
(Q. H.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Mitko Thimi Kostë