Monakizmi
(greqisht: μοναχισμός) Monakizmi Mënyrë e jetës ungjillore, dedikuar lutjes, e tërhequr krejtësisht nga jeta dhe vënie në shërbim të plotë të atit shpirtëror. Gjatë historisë monakizmi është zhvilluar në dy forma: a) forma anahoretike, e cila është tërheqje dhe largim i plotë nga bota; dhe b) jeta në kuadër të bashkësisë së organizuar ose në manastir. Monakizmi u shfaq në Egjipt rreth vitit 350. Në fillim pati eremitë, që bënin një jetë të izoluar në kolibe ose në shpella, mbi degë pemësh, ose mbi majën e një shtylle. Prototipi i murgut eremit ka qenë Andoni i Madh (251–356). Më vonë monakizmi, u shfaq në formën e komuniteteve, ku murgjit bënin një jetë kolektive mbi bazën e disa rregullave dhe në një manastir të caktuar. Protagonisti i parë i kësaj forme të monakizmit është Shën Pahomi (286–346), i cili përcaktoi rregullat e jetës monakale.
Burimi:
• Andrea Llukani (Enciklopedia e Krishterë Ortodokse)