MONUMENTI I PAVARËSISË
✤ Monument skulpturor (bronz 17 m) në Sheshin e Flamurit në Vlorë, përuruar më 1972 me rastin e 60-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, vepër e Skulptorëve të Popullit Kristaq Rama, Shaban Hadëri, Muntaz Dhrami (Çmimi i Republikës i kl. I). Është një nga arritjet më të shquara të skulpturës monumentale, kushtuar luftës së popullit shqiptar për liri e pavarësi kombëtare. I ngritur mbi një platformë të gjerë, përbëhet në bazë nga një grup që përfaqëson figura të luftëtarëve të lirisë të krahinave të ndryshme të Shqipërisë, të hedhur përpara me figurën e vendosur të Ismail Qemalit në krye, nga një shtyllë në formë të çrregullt shkëmbore dhe nga figura e vrullshme e flamurtarit në majë. M. i P. ka një kompozim origjinal e dinamik dhe trupëzon idenë e fitores historike. Thellimi në skalitjen e tipave të figurave, ndërtimi plastik përmes masave të mëdha i ka dhënë madhështi monumentale. Pas një vizite që bëri në studion ku punonin bocetin e monumentit, sh. Enver Hoxha u dërgoi autorëve të tij një letër me rëndësi ideoestetike për kuptimin e zhvillimin e artit të realizmit socialist. Idetë e letrës qenë frymëzim i ri e nxitje e fuqishme për realizimin me sukses të M. të P.
(K. Bu.—A. Ku.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Monumenti I Pavarësisë
[cite]