Mos valë kontinentet vijnë nga thellësitë oqeanike
Disa gjeologë janë të mendimit se dukuritë që ndodhin në këto thellësi të errëta prej dhjetë ose dymbëdhjetë kilometrash nën nivelin e detit, mund të ndihmojnë për të shpjeguar se si janë formuar vetë kontinentet. Disa pjesë të ftohta të kores së Tokës që gjenden në thellësitë e deteve, ku temperatura është gjithmonë afër zeros, mund të jenë fundosur, duke formuar kështu humnerat, që do të jenë mbushur më vonë përsëri nga fundërrimet, të ngurtësuara pak nga pak në masa shkëmbore.
Meqë këta janë shkëmbinj fundërresorë më të lehtë se materialet e kores përreth, fundi i oqeanit do të jetë ringritur, tamam siç ngrihet përsëri një copë dru i futur nën ujë. Ngritja ka vazhduar për një kohë të mjaftueshme dhe në këtë mënyrë mund të jetë formuar vargmali që, nga ana e tij, mund të shndërrohet në një varg ishujsh. Së fundi, një varg ngjarjesh të tilla të vazhdueshme mund të ketë çuar në krijimin e një kontinenti. Në qoftë se kontinentet janë formuar në këtë mënyrë, atëherë pse shkëmbi bazë që përbën ato, është prej graniti? Dikur gjeologët besonin se graniti, prej të cilit ishte formuar pjesërisht korja e Tokës, që ishte në fillim në formë blloqesh që pluskonin mbi bazaltin më të rëndë, kishte formuar kontinentet. Sot mendohet që graniti të ketë ardhur nga shndërrimi i bazaltit e i fundërrimeve të fundit të lashtë detar, të cilat kanë vepruar me minerale të ndryshme nën ndikimin e nxehtësisë dhe të presionit. Mbase kështu u formuan kontinentet, miliarda vjet më parë; dhe të tilla kanë mbetur në përgjithësi. Por herë-herë kanë pësuar fundosje, që e kanë lejuar detin të përmbytë tokën dhe të lërë shtresa shkëmbore fundërresore, tamam ato shtresa që gjeologët sot synojnë ti studiojnë, si kapituj të historisë së Tokës. Prej vjetësh shkencëtarët janë joshur nga misteri i mbulesës së Tokës. Mbulesa është e përbërë nga materiale që gjenden ndërmjet litosferës dhe sipërfaqes së jashtme të bërthamës. Studimet e bazuara në valët sizmike tregojnë se ajo është shumë më e dendur se korja e Tokës: mbase është prej bazalti. Por natyra e vërtetë e mbulesës dhe vitet që zë ajo në jetën e planetit, janë akoma hamendje. Në qoftë se mbulesa e Tokës do të mund të studiohej drejtpërdrejt, domethënë nëpërmjet gërryerjeve, atëherë shumë pyetje të rëndësishme, si ato të formimit të maleve dhe kontinenteve, do të gjenin përgjigje më të shpejta.