MUZEU ARKEOLOGJIK KOMBËTAR


MUZEU ARKEOLOGJIK KOMBËTAR
✤ Muze qendror në Tiranë që paraqet objektet dhe vlerat historike të monumenteve arkeologjike të zbuluara në RPSSH. U hap më l.XI.1948 si Muze Arkeolo-

gjik-Etnografik, duke pasur detyrë edhe ruajtjen, mbrojtjen e studimin e monumenteve arkeologjike. U pasurua me lëndë nga gërmimet dhe u riorganizua më 1957, kur u themelua UT. Me zgjerimin e mëtejshëm të fondeve në v. 1976 u nda nga etnografia dhe bën pjesë në Qendrën e Kërkimeve Arkeologjike (shih). Janë ekspozuar 1800 objekte sipas kriterit kronologjik e tematik. Nga prehistoria pasqyrohet zhvillimi i prodhimit dhe i kulturës në epokën e gurit të ri, të bronzit e sidomos të hekurit. Në periudhën antike lënda arkeologjike është trajtuar sipas qyteteve të krahinave ilire. Është paraqitur më vete kultura e ngulimeve helene. Mbyllet me kulturën e kështjellave e të varrezave mesjetare në Shqipëri. Muzeu ka një fond themelor arkeologjik me rreth 14.000 objekte dhe është një pasqyrë sintetizuese e arritjeve në kërkimet arkeologjike dhe për historinë e lashtë të Shqipërisë. Muzeu Arkeologjik i Durrësit, Muzeu Arkeologjik i Apolonisë dhe Muzeu Arkeologjik i Buttrintit kanë po këtë natyrë dhe me fondet që ruajnë e të ekspozuara pasqyrojnë sipas kriterit kronologjik e tematik historinë dhe kulturën e këtyre tre qyteteve të lashta.

(M. Ko.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Muzeu Arkeologjik Kombëtar


[cite]