NDËRTIMET HIDROTEKNIKE


NDËRTIMET HIDROTEKNIKE
✤ Vepra inxhinierike që shërbejnë për shfrytëzimin e pasurive ujore për nevojat e ekonomisë, si dhe për t’u mbrojtur ndaj veprimeve të dëmshme të ujërave. N.H. përfshijnë digat, veprat e marrjes së ujit, veprat e shkarkimit të ujërave të tepërta, tunelet hidroteknike, kanalet, tubacionet, pritat, argjinaturat, portet etj. N.H. si kanale ujitëse, dërstila, prita, mullinj, etj., ianë ngritur në vend nga mjeshtërit popullorë qysh në kohët më të vjetra. Pas Çlirimit N.H. morën zhvillim të madh. Ndër N.H. të mirëfillta më të mëdha që janë kryer dallohen veprat që lidhen me tharjen e kënetave të Maliqit, Tërbufit, Thumanës, Roskovecit etj.; ndërtimi i kanaleve ujitëse Vau i Dejës-Trush, Berat-Ura e Kuçit, «Naum Panxhi» në Elbasan, Vjosë-Levan-Fier etj.; ngritja e argjinaturave për mbrojtjen e tokave nga përmbytjet e lumenjve Drin, Mat, Ishëm, Shkumbin, Vjosë, Seman etj.; ndërtim i rezervuarëve për ujitjen e tokave si i Thanës, i Kurjanit etj.; ngritja e digave për marrjen e ujit nga lumenjtë si ajo e Vlashukut në Devoll, e Çengelajt në Shkumbin, e Beratit në Osum etj.; ndërtimi i ujësjellsve si ai i Tiranës, i Fushë Kuqes etj. Përveç ndërtimeve hidroenergjetike (shih), janë ndërtuar porte e pontile, si porti i Durrësit, porti i Vlorës etj. Studimi, projektimi dhe ndërtimi i këtyre veprave është bërë nga institucione studimore projektuese dhe ndërmarrje të ndërtimit të specializuara të vendit. Ndër studiuesit, projektuesit e zbatuesit e sotëm në fushën e N.H. përmenden Faredin Nuri, Gani Tuçepi, Hysni Dino, Stavri Naço, Iliaz Cerga, Robert Semini etj.

(J.Ç.—E.Gj.—J.Z.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Ndërtimet Hidroteknike


[cite]