NDËRTIMI I BANESAVE ME NDIHMESË VULLNETARE


NDËRTIMI I BANESAVE ME NDIHMESË VULLNETARE
✤ Formë organizimi e veçamtë për ndërtimin e banesave në të cilën masat punonjëse japin ndihmesën e tyre vullnetare për ngritjen e godinave për banim. Ideja për këtë u hodh për herë të parë nga sh. Enver Hoxha në fjalën e mbajtur në qytetin e Peshkopisë më 16.12.1967 me rastin e likuidimit të pasojave të tërmetit të 30 nëntorit 1967. Në zbatim të kësaj ideje të shokut Enver, masat punonjëse u hodhën në aksionin e madh të ndërtimit të banesave me ndihmesë vullnetare. N. i B. me N.V. planifikohet dhe mbështetet nga shteti me fonde, bazën e nevojshme materiale dhe specialistë të kualifikuar. Banesat u jepen për ndërtim qendrave të punës dhe institucioneve në qytet e në ndërmarrjet bujqësore. Në punë vullnetare jashtë orarit të punës marrin pjesë të gjithë punonjësit e aftë dhe secili ndihmon sipas mundësive që ka. Në këtë punë gjen zbatim parimi socialist «një për të gjithë e të gjithë për një». Ajo ka përmbajtje ideopolitike, krahas ndihmesës së rëndësishme që jep për zgjidhjen e problemit të strehimit. Deri më 1980 me ndihmesë vullnetare janë ndërtuar rreth 45.500 apartamente.

(Si. Ç.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Ndërtimi I Banesave Me Ndihmesë Vullnetare


[cite]