NDËRZIMI
✤ Bashkimi i kafshëve të sekseve të ndryshme për pllenimin. Për kafshët e reja N. lejohet pasi të kenë arritur rreth 70% të zhvillimit trupor, gjë që tek pela ndodh në moshën 3-vjeçare, tek lopa delja dhe dhia në 18 muaj, tek dosa në 10-12 muaj. Femrat e kafshëve e pranojnë ndërzimin vetëm gjatë periudhës së afshit (estrusit), ndërsa meshkujt e rritur nuk kanë kufizim. Gjatë dekadave të fundit është përhapur gjerësisht N. artificial, sidomos në gjedhët. Në Shqipëri N. artificial ka filluar të përdoret për herë të parë më 1953 në N.B. të Vrinës. N. artificial përbën një masë teknike të përparuar, shpejton ritmin e shtimit dhe ndihmon për përmirësimin racor të gjësë së gjallë. Janë vënë në zbatim metoda dhe teknika bashkëkohore siç është ngrirja e thellë e spermës, etj. Sot Shqipëria në këtë drejtim hyn në vendet e përparuara. Përveç dhenve e gjedhëve, kohët e fundit ka filluar të eksperimentohet N. artificial edhe në derra e shpendë. Për të shpejtuar shkallën e përmirësimit racor të gjedhit dhe për të siguruar një zbatim të lartë tekniko-organizativ është ngritur Stacioni qendror i përmirësimit racor të gjedhit, ku janë grumbulluar damazët më të mirë të vendit.
(R.F.)
Burime, referenca dhe shënime:
● Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
● Artikulli origjinal – Ndërzimi
[cite]