NIKAIA
✤ Qytet ilir në trevën e bylinëve. Është përcaktuar në rrënojat e kalasë në fshatin Klos të Mallakastrës. Përmendet për herë të parë me rastin e fitores së një banori të tij si vrapues në lojërat e Amfiarajës në Peloponez. Vendbanimi protourban i shek.VI p.e.r. u shndërrua në qytet nga gjysma e dytë e shek.V p.e.r. dhe u rrethua me mure të tipit poligonal, me perimetër 1800 m. U rifortifikua pjesërisht në shek.IV p.e.r. me mure të tipit katërkëndësh dhe bashkë me qytetin e ri të Bylisit (shih) që u ngrit pranë tij, u bë bërthamë e bashkësisë (koinonit) të bylinëve. Nga shek.I p.e.r. u braktis dhe nuk u mëkëmb më. Gërmimet arkeologjike më 1970-1975 kanë zbuluar murin rrethues, një teatër të shek.III p.e.r. me 1000 vende, një punishte qeramike, një portik dhe një banesë të shek.II p.e.r.

(N.C.)

Burime, referenca dhe shënime:
Fjalori Enciklopedik Shqiptar (1985)
Artikulli origjinal – Nikaia


[cite]